E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, përkujtohen viktimat e tragjedisë së 9 janarit

Bregdeti i Vlorës është mbushur sot me lule në përkujtim të 8-vjetorit të tragjedisë së 8 viteve më parë, ku humbën jetën 20 persona dhe u zhdukën 8 të tjerë.

Familjarët e viktimave, të ardhur kryesisht nga zona e Shkodrës, janë mbledhur në breg të detit me tufa lulesh në duar për jetët e humbura në ujërat e detit, në përpjekje për një jetë më të mirë.

Ata e kanë cilësuar tragjedinë e tetë vjetëve më parë një dosje të zezë, duke i kërkuar shtetit shqiptar tu kthejë trupat e të zhdukurve, të cilët sipas tyre janë mbajtur të fshehur.

* * *

Si sot 8 vjet më parë, 28 persona nga qarku i Shkodrës do të humbin jetën në ujërat e ftohta të Jonit, në përpjekje për tu larguar drejt një jete më të mirë.

Më 9 janar 2004, një gomone me 36 klandestinë u nis nga gjiri i Palasës, në përpjekje për të mbërritur në Itali.

Për shkak të motit të keq, dallgëve të larta dhe errësirës, udhëtimi i tyre drejt shpresës, i cili i kishte kushtuar secilit prej tyre të paktën 1500 euro, përfundoi në ujërat e thella të Jonit.

20 prej viktimave u gjetën, ndërsa 8 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Të 28 viktimat ishin pothuajse të gjithë të moshës nën 35 vjeç.

Asokohe, kryeministri Berisha, i cili ishte në opozitë, u bë zëri më i fortë në mbrojtje të familjarëve të viktimave, duke u thënë se do të bëhej avokat mbrojtës i tyre në zbardhjen e tragjedisë dhe vënies para ligjit të shkaktarëve të saj. Por duket se edhe ky ishte një premtim paraelektoral.

Prej 8 vitesh, familjarët e viktimave të tragjedisë së Karaburunit vijojnë të kërkojnë drejtësi për të afërmit e tyre. Edhe në këtë 9 janar, ata shprehen se tragjedia e vitit 2004 kërkohet të harrohet nga të gjithë. Jemi më të fyer, më të poshtëruar dhe më të zhgënjyer se kurrë, thanë ata.

Një vit më parë, tragjedia e 9 janarit u përkujtua nga familjarët e viktimave me anë të një proteste të zhvilluar para Kryeministrisë, ku autoriteteve iu kërkua nxjerrja para drejtësisë e funksionarëve të lartë të asaj kohe, të Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Brendshme, që sipas familjarëve të viktimave lanë të mbyteshin në brigjet e Karaburunit 28 të pafajshëm që po kërkonin të largoheshin nga vendi për një jetë më të mirë.

Anila Peçi / Gazmira Ndoja  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›