E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Jensen- Topit: Statusi të merret në 100 vjetorin e pavarësisë

Me rastin e marrjes së kryesimit të Presidencës së Bashkimit Evropian, ambasadori i Danimarkës në Tiranë Karsten Jensen është pritur në një takim nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.

Ambasadori i ka paraqitur Presidentit përparësitë e programit të presidencës daneze të radhës së BE-së, ku një vend të veçantë do të zërë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për tu anëtarësuar në gjirin e familjes evropiane.

Gjatë takimit, Topi ka theksuar se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është objektivi kryesor i politikës së jashtme shqiptare që reflekton dhe synon të përmbushë aspiratën e gjerë të qytetarëve shqiptarë për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes evropiane.

Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe ne shpresojmë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda këtij viti, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura, ku më kryesori është dialogu dhe bashkëpunimi politik institucional, është shprehur Presidenti.

Nga ana e tij ambasadorit Jensen dhe shprehu bindjen në mbështetjen e plotë të Presidencës daneze për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat. Në këtë pikë, ai ka theksuar se do ishte mirë nëse kjo do të ndodhe në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE duke uruar që Shqipëria të arrijë ta marrë e ta meritojë statusin e vendit kandidat dhe do të ishte një gjë shumë e mirë sikur kjo të ndodhte në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së saj, tha ambasadori danez.

Jensen, ndryshe nga ambasadorët e tjerë është një diplomat që ka folur hapur çdo herë që i është kërkuar opinion mbi çështje të rëndësishme dhe takimi me Topinvjen në një moment kur po diskutohet gjerësisht mbi zgjedhjen e presidentit të ri.

Ambasadori danez pak ditë më parë është shprehur se duke pasur parasysh rolin e Presidentit në ndërtimin konstitucional të Shqipërisë sa i takon sigurimit të pavarësisë së institucioneve, sipas tij zgjedhjet presidenciale do të jenë një test lakmusi i demokracisë shqiptare dhe qëndrimit të Shqipërisë si e tillë. Në këtë prizëm, Jensen e shikon si shumë të rëndësishme zgjedhjen e një presidenti të pavarur dhe të panjollosur.

Për këtë çështje një ditë më parë është shprehur edhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Volfart. Ai tha qartësisht se Shqipëria duhet të zgjedh një president konsensual.

Redaksia OnLine
Florenc Stafa

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›