AK-ja, protestë para qeverisë. Spahiu: Ne jemi opozita më e denjë
Tubimi
Mungon Berisha. Akuza të forta ndaj LSI-së
Kreshnik Spahiu e zhvilloi protestën e paralajmëruar për ditën e djeshme para Kryeministrisë, e cila edhe pse nuk pati shifrat e paralajmëruara (50 mijë persona) gjithsesi arriti të mbledhë në bulevardin Dëshmorët e Kombit rreth 2 mijë persona që kërkuan largimin e Kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha nuk ndodhej në zyrë, madje as në Shqipëri, pasi zhvilloi një vizitë zyrtare në Azerbajxhan, por kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, paralajmëroi një protestë tjetër më të madhe më 1 maj, ku gjithashtu paralajmëroi një shifër të madhe pjesëmarrësish; 1 milion persona. Aleanca Kuqezi ka akuzuar policinë se ka bërë të gjitha përpjekjet për të sabotuar demonstratën, pasi janë bllokuar autobusët e përkrahësve të AK-së që vinin nga rrethet. Gjithsesi, Kreshnik Spahiu ka mbajtur një fjalim të ashpër para Kryeministrisë, ku ndodheshin militantët e kësaj lëvizje që hidhnin parulla të forta kundër Kryeministrit. Një flamur i madh kuqezi është mbajtur në duart e mbështetësve që zgjaste thuajse sa e gjithë ndërtesa e selisë së qeverisë. Spahiu që ka udhëhequr marshimin e gjatë deri në fund të bulevardit, deklaroi: Ai iku, në Azerbajxhan por ne e garantojmë se kudo që të shkojë, nuk do të gjejë derman, deklaroi kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu cili i bëri thirrje të mos ndalen në protestat kundër kreut të qeverisë, i cili sipas Spahiut nuk u përball me kuqezinjtë, të cilët prej një muaji kishin lajmëruar protestën për largimin e shtetasit Berisha. Në protestën e djeshme, kreu i AK-së ka prezantuar edhe sloganin e kësaj force politike për fushatën e 23 qershorit, por ka hedhur edhe akuza të forta ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne sot prezantojmë përpara mbarë kombit shqiptar sloganin që do të na ndjekë në çdo betejë me faqezinjtë, të pafetë dhe të korruptuarit që përbaltën prej 23 vitesh moralin dhe idealin e kombit tonë. Zoti është i pari, Shqipëria mbi të gjitha, sepse kuqezinjtë udhëhiqen nga besimi në Zot dhe nga dëshira që Shqipëria të bëhet. Por ky vend nuk do të bëhet me ish-ministra dhe ish-kryeministra. Ne nuk do të lejojmë që ministrat e shtetasit Berisha në qeverisjen e katër viteve të fundit, qofshin këta edhe të Lëvizjes Socialistë për Integrim të jenë në qeverinë e ardhshme të shqiptarëve. Jo, nuk do ta lejojmë. Zoti është i pari, Shqipëria mbi të gjitha kërkon vendosjen e moralit dhe idealit me besimin se Shqipëria bëhet. Ne kërkojmë besimin e shqiptarëve ashtu si i lutemi Zotit që të na udhëheqë në rrugën tonë të vështirë përballë tradhtarëve dhe antishqiptarëve, deklaroi Spahiu. Një numër i konsiderueshëm forcash policie ishin vendosur përreth godinës së Kryeministrisë, por gjatë tubimit nuk pati asnjë incident. Kreu i AK-së ka paralajmëruar tubimin e muajit të ardhshëm. Më 1 maj, me 1 milion kuqezi do të largojmë Berishën. Përulemi para viktimave të Gërdecit dhe 21 janarit. Shqipëria mbi të gjitha. Askush nuk mund të jetë para saj. Ne do të ulemi dhe përulemi përpara Zotit dhe Shqipërisë, sepse ne lidhim sot një kontratë publike kuqezi në interes të vendit. Të nderuar ju kuqezinj, që nuk jeni mbledhur këtu as nga 20 përqindëshat e LSI-së, as nga administrata e qeverisë, ju jeni këtu se AK është opozita më e denjë. Ne nuk shkelim mbi parimet tona. Ne do të mbledhim 1 milion kuqezinj, ne nuk mund të lejojmë që faqeziu dhe i pandehuri Berisha të qeverisë sërish. Ne do të punojmë për të realizuar aspiratën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, tha Spahiu.
Të nderuar ju kuqezinj, që nuk jeni mbledhur këtu as nga 20 përqindëshat e LSI-së, as nga administrata e qeverisë, ju jeni këtu se AK është opozita më e denjë
AK-ja, protestë para qeverisë. Spahiu: Ne jemi opozita më e denjë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email