Berisha takon presidentin e Azerbajxhanit, në fokus projekti TAP
Kryeministri Berisha i cili ndodhet për vizitë në Azerbajxhan është takuar sot në Pallatin Presidencial në Baku me presidentin e vendit Ilham Aliyev.
Një vend të veçantë në këtë takim zunë diskutimet për projektin e gazësjellësit transadriatik TAP. Kryeministri Berisha theksoi se TAP është projekti më fizibël, më ekonomik dhe më tregun më të gjerë dhe më të garantuar.
Kryeministri Berisha e njohu presidentin Alyiev me marrëveshjet trilaterale të firmosura nga Shqipëria, Italia dhe Greqia, ratifikimin e tyre nga Shqipëria dhe vendosmërinë e vendit tonë për të përmbushur me përkushtim detyrimet që rrjedhin nga këto marrëveshje dhe të gjitha detyrimet kontraktuale të këtij projekti.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Alyiev me interesin e madh që tregojnë për TAP vendet e tjera të Ballkanit. Presidenti Aliyev theksoi se gjatë muajve që vijnë konsorciumi Shah Deniz 2 do të vendosë për projektin që do përzgjedhë për transportin e gazit Kaspik në Europë dhe sigurisht kriteret ekonomike dhe të tregut do të kenë një rëndësi parësore në vendimin e tyre.
Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit për hartimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë. Presidenti Alyiev premtoi mbështetjen e plotë të vendit te tij pë projektin e gazifikimit të Shqipërisë. Në takim u diskutua për bashkëpunimin në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme dhe në të gjitha fushat me interes të perbashkët.
Kryeministri Berisha ftoi presidentin Alyiev për të vizituar Shqipërinë në kohën më të shpejtë e më përshtateshme për të.