Kukan: Nga organizimi i zgjedhjeve varet e ardhmja në BE
Ndërkombëtarët
Brukseli: Do të shohim ecurinë hap pas hapi
Precedenti - Kukan shprehet se bashkëpunimi politik në Shqipëri ndodhi me sukses në procesin e liberalizimit të vizave
Së fundmi, Kryeministri Berisha në samitin europian të marsit në Bruksel u ka dhënë garanci vendeve anëtare të BE-së se zgjedhjet do të jenë të lira dhe korrekte, në përputhje me standardet ndërkombëtare
Bledar Hoti
Brukseli u kërkon partive dhe politikanëve shqiptarë që ti vlerësojnë zgjedhjet e 23 qershorit si vendimtare për perspektivën europiane të vendit. Mbarëvajtja, standardet dhe pranimi i rezultatit të tyre do të përcaktojnë qëndrimin që do të mbahet ndaj Shqipërisë, si një vend që pret dritën jeshile drejt BE-së. Kështu deklaron për AS TV, Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, i cili ndjek me vëmendje zhvillimin e fushatës elektorale. Imazhi i Shqipërisë, e ardhmja e vendit, e ardhmja e procesit të integrimit europian do të varen shumë nga këto zgjedhje: si do organizohen ato, cila do të jetë ecuria dhe si do të pranohen rezultatet e tyre nga forcat që marrin pjesë në këto zgjedhje. Pra, unë mendoj se kjo është plotësisht në përgjegjësinë e politikanëve, nëse ata janë me të vërtetë të interesuar për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Sigurisht, ata thonë se janë për këtë, por duhet që edhe me sjelljen e tyre të jenë të përgjegjshëm e në përputhje të plotë me këtë rrugë, duke pasur si kryesore në punën e tyre interesat e popullit e të vendit, deklaroi kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan. Për realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve të kërkuara, europarlamentari thekson se partitë politike duhet të bashkëpunojnë për realizimin e këtij qëllimi, duke dhënë dhe shembuj pozitivë për një proces të tillë. Kukan iu referua për këtë kohës kur partitë kanë punuar së bashku për liberalizimin e vizave. Unë jam në dijeni të konflikteve që kanë atje partitë politike. Por po i kthehem prapë asaj që thashë. Kemi gjithashtu edhe shembuj të tjerë. Për shembull, këto parti që nuk kanë besim te njëra-tjetra kanë punuar, megjithatë, së bashku për procesin e liberalizimit të vizave. Pra, ky shembull tregon se partitë politike edhe në Shqipëri mund të punojnë së bashku dhe të kenë një sjellje të përgjegjshme kur është fjala për të ndihmuar njerëzit. Pra, kështu është e mundur të arrihen rezultate, ndryshe kjo do të ishte e pamundur. Ne jemi duke ndihmuar dhe këshilluar. Unë jam i bindur se të gjitha institucionet europiane duan të shohin progres në Shqipëri, por ai mbetet për t’u bërë nga vetë partitë dhe politikanët shqiptarë, thekson Kukan, kryetari i delegacionit të PE-së. Zgjedhjet e 23 qershorit pritet të jenë barometri për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë. Përveç tri ligjeve që KE-ja kërkon si kushte për statusin e vendit kandidat, Shqipërisë duket se do ti vihet lupa e zgjedhjes nga ky organizëm. Kryeministri Sali Berisha në Samitin e PPE-ve në Bruksel ka garantuar drejtuesit e lartë të BE-së se do të realizojë zgjedhje sipas standardeve të kërkuara ndërkombëtare. Qeveria ka ftuar një numër të lartë vëzhguesish ndërkombëtarë për të monitoruar procesin e 23 qershorit. Organizmat ndërkombëtarë pritet të jenë aktivë në vëzhgimin e këtij procesi zgjedhor. Veç ODIHR dhe OSBE-së, ky proces pritet të ketë edhe vëzhgues nga një përfaqësi e PE-së apo nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. Ndërsa sa i përket procesit të tri ligjeve të kërkuara nga BE-ja, gjithçka duket se do ti mbesë verdiktit të Parlamentit që do të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Edhe pse ka një tërheqje të PS-së, e cila pas koalicionit me LSI, duket se ka moderuar termat, vihet re ngurrimi nga PD-ja. Kryeministri ka theksuar se këtë çështje do ta vendosë referendumi që do të realizohet pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Vendimi
OSBE-ODIHR do të sjellin 430 vëzhgues në Shqipëri
Procesi zgjedhor i 23 qershorit do të monitorohet nga ndërkombëtarët më imtësi. ODIHR do të dërgojë në Shqipëri 430 monitorues. Kjo është bërë e ditur në një raport të dalë së fundmi nga ODIHR, i cili shprehet për situatën e politizuar në Shqipëri. Mjedisi është mjaft i polarizuar nga dy partitë kryesore. Ambienti politik në Shqipëri në prag të zgjedhjeve është i tensionuar, si pasojë e konfliktit të gjatë mes dy partive, thotë raporti paraprak i OSBE-ODHIR. Ky konflikt i tejzgjatur mes partive mund të ketë një impakt negativ në mbajtjen e zgjedhjeve të qershorit. Ekziston një mungesë besimi se forcat politike do kenë vullnetin politik për zgjedhje demokratike, thuhet në raportin e ndërkombëtarëve. Ndërkohë që ODIHR ka hapur njoftimin për rekrutimin e monitoruesve, të cilët do të qëndrojnë në Shqipëri deri në shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve.
Kukan: Nga organizimi i zgjedhjeve varet e ardhmja në BE burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email