AK te ish të përndjekurit: Berisha ju mashtroi

Përfaqësues të Aleancës “Kuq e Zi” kanë vizituar sot ish-të dënuarit politik të cilët prej katër ditësh ndodhen në grevë urie.
Duke mbështetur kërkesat e tyre, përfaqësuesit e AK-së kanë theksuar se ish- të burgosurit politik janë mashtruar prej 22 vjetësh për kompesim dhe integrim në shoqëri.
“Enver Hoxha i dënoi dhe u mori lirinë ndërsa Sali Berisha i mashtroi dhe u dhunoi dinjitetin. Ish-të burgosurit politikë janë disidentë si me Enver Hoxhën ashtu dhe me Berishën. Berisha nuk ka asnjë ish-të burgosur politik në zyrate qeverisë. ” theksuan përfaqësuesit e AK-së.
Sipas tyre, kryeministri i vendit ka ndërmarrë një mision për të shkatërruar elitën e ish-të përndjekurve politikë duke shtuar se AK-ja nuk do ta lejojë vetëflijimin e tyre. “Së bashku do të rrëzojmë trashëgimtarin e Katovicës. Këto janë muajt e fundit të regjimit bardheblu” kanë shtuar ata.
Ish të dënuarit politikë vijojnë ditën e katërt të grevës së urisë pranë "Komunës së Parisit në Tiranë" dhe paralajmërojnë përshkallëzim të mëtejshëm të grevës deri sa kërkesat e tyre për dëmshpërblim nga qeveria të merren parasysh.