AKB: Dëmtohet Maqedonia, jo Kosova

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për bllokim të mallrave të Maqedonisë. Sipas përfaqësuesve të AKB-së, ky vendim nuk e cenon ekonominë e Kosovës por atë të Maqedonisë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini në një konferencë për media me temë: "Taksat e Maqedonisë për qytetaret e Kosovës dhe vendimi i Qeverise se Kosovës për bllokimin e importit të produkteve maqedonase", ka pohuar se kjo masë do të ndikojë negativisht në ekonominë e Maqedonisë, jo në atë të Kosovës.
Sipas Shahinit, kulmi i pengesave të shtetit maqedonas ka qenë vënia e taksës për qytetarët e Kosovës, ndërsa e gjithë tollovia është shkaktuar nga vendimi i nxituar i Qeverisë së Maqedonisë për të vënë kufizime për miellin dhe grurin. /Indeksonline/