E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKEP nis konsultimet per dhenien e licences 3G

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ka nisur fazën e konsultimeve për dhënien e dy licencave të mbetura 3G.  Sipas njoftimit të bërë nga ky autoritet, diskutimet që do të zhvillohen me operatorët e tregut të telefonisë celulare, si dhe me grupet e tjera të interesit, do të kenë në qendër të vëmendjes mënyrën e dhënies së licencave për përdorimin e brezit të gjerë të komunikimit 3G dy kompanive të mbetura në vendin tonë. 
Sipas njoftimit, gjatë diskutimeve përfaqësues të AKEP do të mundohen të kuptojnë se cila do të jetë metoda më e mirë për pajisjen me licencë të operatorëve të mbetur pa këtë të drejtë, pra nëse do u jepet në të njëjtën kohë licenca të dy operatorëve, dhe çmimi me të cilën do pajisen me licencë këto dy kompani. 
Këto diskutime, nisin dhe për shkak të dështimit të dhënies së licencës së tretë 3G gjatë tenderit të zhvilluar nga AKEP në muajin shkurt. Qëllimi kryesor i qeverisë për pajisjen me licencën 3G për të gjithë operatorët në tregun vendas të telefonisë celulare  lidhet me implementimin e një procesi dhëniesh të drejtash përdorimi objektiv dhe transparent në përfitim të konsumatoreve shqiptare dhe ekonomisë shqiptare, i cili përfshin përmbylljen e procesit të dhënies së të drejtave të përdorimit në brezat UMTS, krijimin e një tregu konkurrues në Shqipëri, si dhe përdorimin efektiv të spektrit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›