AKI-së i kërkohet llogari për Pecin

Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet t'i nisë hetimet nëse qëndrojnë ose jo deklaratat e Ministrisë së Punëve të Jashtme se Lulzim Peci ka zhvilluar takime të paautorizuara me zyrtarët shtetërorë në Beograd.
Ky është konstatimi që e ka dhënë kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi. Ai ka vlerësuar se Qeveria është ngutur kur e ka lëshuar atë deklaratë, por ai mbetet prapa qëndrimit se në këtë mes është e nevojshme ndërhyrja e inteligjencës kosovare, shkruan Tribuna.
”Nëse një ambasador takohet me një shërbim tjetër, është AKI që duhet të hetojë dhe njoftojë se kujt i shërben ai njëri. Mendoj se Qeveria është ngutur me atë deklaratë, por megjithatë mbetet kompetencë e AKI-së që të merret me këtë çështje”, ka thënë Krasniqi. /Indeksonline/