E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova kurrë më pjesë e Serbisë

(E plotësuar) Ministrja për Integrime Evropiane e Kosovës, Vlora Çitaku gjatë fjalimit që mbajti në kryeqytetin serb Beograd, ka thënë se "Kosova asnjëherë më, po e përsëris, asnjëherë nuk do jetë më pjesë e Serbisë".

Ajo këtë e tha gjatë adresimit para mediave serbe në konferencën "integrimi në B Edhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë". Kjo konferencë është organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike që edhe e ka ftuar Ministren Çitaku në kryeqytetin serb.

Gjatë një fjalimi 15 minutësh, Vlora Çitaku ka folur për frikën dhe terrorin që e kanë përjetuar shqiptarët përgjatë periudhës së regjimit të Slobodan Millosheviqit.

"Fatkeqësisht unë kam parë shumë masakra dhe njerëz të vrarë dhe gra të dhunuara se cilido tinejxher ka mundur ndonjëherë t'i shoh"' ka thënë Ministrja Çitaku. Ajo megjithatë ka kujtuar se në Serbi edhe gjatë kohërave të errëta ka pasur njerëz që kanë vlera të vërteta evropiane si Natasha Kandiq, Dusan Jannjiq, Ivan Vejvoda dhe Sonja Biserko.

Vizita e ministres kosovare në Beograd, ndonëse pa asnjë takim me qeveritarë serbë, ka marrë vëmendjen e të gjitha medieve kryesore serbe. Një numër i madh i gazetarëve kanë bërë pyetje të ndryshme ministres, ndërsa në fund e kanë duartrokitur paraqitjen e saj.

Vlora Çitaku gjatë ditës është takuar me Shefin e delegacionit të Be në Serbi, Vincent Degert dhe ka vizituar edhe zyrën ndërlidhëse të Kosovës.

Valdet Sadiku ka nisur punën sot si zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Serbi.

........................

Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku ka marrë lëvdata prej udhëheqësit të Delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert për vizitën që po e bënë në Beograd.

"Kjo është një vizitë historike pas një marrëveshjeje historike", ka thënë Degert në fillim të takimit që po zhvillohet edhe në këto momente.

Ministrja për Integrime, megjithatë ka reaguar duke thënë se jeta saj ka plot momente historike, "ka ardhur koha për normalitet", tha ajo.

Vlora Citaku është ftuar në Beograd, nga forumi për marrëdhënie ndëretnike, organizatë joqeveritare kjo që udhëhiqet nga sociologu i njohur serb, Dusan Janjiq. Ajo në Beograd po shoqërohet nga zyrtari i ri ndërlidhës kosovar në Beograd, Valdet Sadiku, i cili e ka marrë detyrën nga dita e sotme.

Ministrja Çitaku pas takimit me shefin e delegacionit të BE-së do e vizitojë edhe Zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, ndërsa më vonë gjatë ditës do të takohet me ambasadorët e vendeve të Quintit. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›