AKIP: Të ndalet importi i plehrave, kjo qeveri po bën namin edhe në largim
Aleanca Kundër Importit të Plehrave doli në një konferencë për shtyp për të bërë apel që të ndalen lejet për import plehrash nga kjo qeveri në largim.
Ka indicie se janë dhënë mbi 10 leje (të cilat i kemi evidentuar) për importin e mbetjeve metalesh dhe plastike. Këto kanë ndodhur dhe kohët e fundit. Dy fabrika riciklimi janë në Vorë dhe Gjokaj dhe kemi frikën se mund të ndodhë në vazhdimësi. Kjo do të ishte e papranueshme dhe mendojmë se shkalla e abuzimit mund të jetë më e madhe në këtë periudhë sesa më përpara, tha ambientalisti Lavdosh Ferruni.
I bëjmë thirrje qeverisë së re që seancat e para parlamentare ti shfrytëzojë për të hequr nenet që lejojnë importin e mbetjeve. Në këtë mënyrë kjo shumicë do të mbajë premtimin elektoral. Besojmë se shumica e re politike do i japë fund importit të mbetjeve duke i përmbushur pritshmëritë e qytetarëve. Nëse qeveria e re nuk i përmbush, ne do të vazhdojmë referendumin, i cili është miratuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti Nishani ka caktuar datën, tha Blendi Kajsiu.
Ata shtojnë se nëse qeveria nuk e bllokon importim e mbetjeve do të vazhdojnë rrugën e referendumit.
Qeveria të mbajë premtimin në mënyrë që të shmangë referendumin, i cili do të ishte kosto. Jemi të sigurt se importi i plehrave nuk do të ndodhë në Shqipëri, tha Lavdosh Ferruni./ep