E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP, gati lista e pronarëve që përfitojnë kompensimin

Periudha në fund të muajit janar deri në fillim të muajit shkurt, do të shënojë përfundimin e listës së plotë me emrat e ish-pronarëve që përfitojnë kompensimin e pronës së tyre
Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka deklaruar pak kohë më parë se, puna për krijimin e fondit fizik do të përbëjë bazën e punës përgjatë vitit 2008
Agjencia, grup pune për krijimin e fondit fizik të kompensimit të subjekteve të shpronësuara
TIRANË- Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të përgatisë shumë shpejt të gjithë listën e pronarëve që presin kompensimin për pronën e tyre nga shteti. Fundi i muajit janar ose ditët e para të muajit shkurt pritet të përbëjnë periudhën gjatë së cilës Agjencia e Pronave do të ketë gati listën e plotë me emrat e gjithë subjekteve të shpronësuara, që kërkojnë kompensimin fizik të pronës të tyre. Lajmi bëhet i ditur për "Shekullin" nga burime brenda Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas të cilave, tashmë ka nisur puna për përmbylljen e kësaj liste. Lista, sipas burimeve, mund të bëhet gati për një muaj, çka do të thotë se fundi i janarit apo fillimi i shkurtit do të finalizojë përmbylljen e këtij procesi. Paralelisht me këtë proces, përgatitjen e listës së plotë të subjekteve të shpronësuara që do të kompensohen, Agjencia e Pronave është duke hartuar një projekt për krijimin e fondit të kompensimit fizik të pronave. Sipas burimeve të AKKP-së, ky projekt synon të bashkërendojë punës mes Agjencisë dhe ministrive të linjës për krijimin e fondit fizik. Madje, ai parashikon ngritjen e një grupi punës në Agjenci, i cili do të koordinojë punën me ministritë, të cilat kanë në dispozicion troje apo objekte të lira, si dhe me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, për të certifikuar pronat që do t'i vihen në dispozicion për kompensim fizik ish-pronarëve. Vetë kreu i Agjencisë së Pronave, Besnik Maho ka deklaruar më parë se, krijimi i fondit fizik për kompensimin e subjekteve të shpronësuara do të ndihmojë në zgjidhjen e një prej problemeve të çështjes së pronave sot në vend, dhe se puna e Agjencisë për vitin 2008 do të përqendrohet pikërisht në krijimin e këtij fondi. Duke nisur dhe nga ecuria e procesit të punës pranë Agjencisë, si përfundimi i hartës së vlerës së tokës apo protokollimi i dosjeve dhe vendimeve të dhëna nga komisionet e pronave, nxjerrja e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe krijimi i fondit fizik për këtë qëllim kthehet në një domosdoshmëri. Deri më tani, puna për krijimin e fondit fizik, nga ana e ministrive përkatëse, ka ecur mjaft ngadalë dhe mjaft institucione nuk i janë përgjigjur këtij detyrimi ligjor. Kjo është pranuar nga vetë kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjeve të qeverisë apo takimeve të zhvilluar me temë çështjen e pronës. Herë pas here, kreu i qeverisë ka kërkuar përshpejtimin e hapave për krijimin e fundit fizik, madje për këtë çështje është lëshuar edhe një urdhër, por gjithçka ka mbetur siç ka qenë dhe sot ende nuk dihet se sa është fondi fizik për kompensimin e subjekteve të shpronësuara.
 
Pasuritë e paluajtshme, pronë shtetërore janë baza e fondit për kompensim fizik
Fondi i kompensimit, ja tokat që do të përfshihen në të
TIRANË- Për krijimin e fondit fizik të kompensimit të subjekteve të shpronësuara qeveria ka miratuar pak muaj më parë një vendim të posaçëm, në të cilin përcaktohen dhe kriteret apo procedurat që duhet të ndiqen për të caktuar përfundimisht pronat fond pasurie të paluajtshme, që do të përdoren për kompensimin fizik. Në këtë vendim përcaktohet se, fondi për kompensim fizik do të përbëhet nga pasuri të paluajtshme, pronë shtetërore, sipas inventarit të Agjencisë së Inventarizimi dhe Transferimit të Pronës Publike, për të cilat nuk ka asnjë akt-shpronësimi, shtetëzimi, konfiskimi apo marrjeje në mënyrë të padrejtë nga shteti. Në këto prona do të bëjnë pjesë të gjitha ato pasuri të paluajtshme publike, me vendndodhje në zona që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, sipas ligjit "Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin", me përjashtim të sipërfaqeve të përcaktuara në ligjin e pronave. Po ashtu, në këtë fond që do të shpërbejë për kompensim fizik të ish-pronarëve, do të bëjnë pjesë: prona në pronësi apo në përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës, si dhe tokat bujqësore, disponibël, shtetërore të ish-ndërmarrjeve bujqësore. Përsa i përket këtyre të fundit, në projektvendim sqarohet se, tokat bujqësore që disponohen nga ish-institucionet kërkimore-shkencore të Ministrisë së Bujqësisë mbetet në administrim të tyre, për nevojë të veprimtarisë funksionale, në sipërfaqe të caktuara nga ministri, ndërsa sipërfaqja tjetër, mbi këto nevoja, shërben si fond për kompensimin fizik. Të tjera prona që do të përfshihen në fondin e pasurive të paluajtshme për kompensimin fizik të ish-pronarëve, janë: pyjet, kullotat dhe livadhet; prona të përfshira në çdo veprimtari të institucioneve shtetërore, qendrore apo vendore, që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre; prona të dhëna me qira, të cilave u është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara dhe investimi i kryer nuk i kalon 150 për qind të vlerës së tokës; si dhe, sipërfaqe të mbetura të lira pas legalizimeve dhe të konfirmuara të tilla nga ALUIZNI.
Pronat që do të shërbejnë si fond i kompensimit fizik
-Pasuri të paluajtshme publike, me vendndodhje në zona që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, sipas ligjit "Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin", me përjashtim të sipërfaqeve të përcaktuara shtojcën 1 të ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave".
-Prona në pronësi apo në përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës.
-Tokat bujqësore, disponibël, shtetërore të ish-ndërmarrjeve bujqësore. Tokat bujqësore që disponohen nga ish-institucionet kërkimore-shkencore të Ministrisë së Bujqësisë mbetet në administrim të tyre, për nevojë të veprimtarisë funksionale, në sipërfaqe të caktuara nga ministri, ndërsa sipërfaqja tjetër, mbi këto nevoja, shërben si fond për kompensimin fizik.
-Pyje, kullota dhe livadhe.
-Prona të përfshira në çdo veprimtari të institucioneve shtetërore, qendrore apo vendore, që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.
-Prona të dhëna me qira, të cilave u është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara dhe investimi i kryer nuk i kalon 150 për qind të vlerës së tokës.
-Sipërfaqe të mbetura të lira pas legalizimeve dhe të konfirmuara të tilla nga ALUIZNI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›