2007 Përralla në errësirë
Viti që lamë pas ka për t'u komentuar dhe për pak kohë, gjersa t'i regjet lëkura vitit ku hymë dhe që kryeministri sapo e quajti vit i reformave të mëdha. Qoftë dhe vetëm për kaq ia vlen të vështrohet nëse viti përvjetor i faqes së zezë 1997, të ketë qenë bazik për reforma apo të jetë bërë shkas për përralla dimri qeveritare që si çdo përrallë që ndërtohet mbi fantazinë i provon njerëzit përballë fuqive të skajshme të natyrës dhe të antidoteve njerëzore, siç shqiptarët po provohen ka vite. Ata që pranuan të flasin për vitin 2007 i janë përgjigjur pyetjes se çfarë u solli dhe u mori shqiptarëve ky vit, sa ecën dhe u kthyen mbrapsht, sa duruan dhe dështuan, sa pretenduan dhe u rrëzuan, pra për dy anët e medaljes së një kohe të caktuar. Të gjithë të intervistuarit kanë një kontribut real në shoqërinë shqiptare, prandaj marrjen e opinionit të tyre e konsiderojmë të rëndësishëm sadoqë efekti i opinionit publik në Shqipëri është i mjerueshëm, nuk ka krahasime me heshtjen. Përmes këtyre pak radhëve, këta intelektualë ngrenë sa probleme konkrekte që qytetari ynë i përjetoi në vitin që lamë pas, sa çështjet e "abstragimit" nga kurthet e realitetit, çështjet e lirisë së individit "pavarësisht se jetojmë në një shoqëri ku të gjithë i ngatërrohen nëpër këmbë njëri-tjetrit" do thoshte dramaturgu dhe regjisori Arben Kumbaro, apo çështjet e "të drejtës sonë për të menduar dhe për të ndikuar si qytetarë të një vendi që e cilëson veten si demokratik", do thoshte gazetari Fatos Baxhaku.
Shekulli: Çfarë u dha shqiptarëve dymijëeshtata?
Maks Velo: Dhe unë do të them se u solli ca kilometra rrugë, inaugurimet i kam parë në televizion; plot godina të shëmtuara të ngritura në Sarandë dhe Selitë; patëm inaugurimin e aeroportit të Rinasit (vepër e gjermanëve) dhe sidomos atë të monumentit të Nënë Terezës (vepër e jona). Në fakt ajo nuk ngjan fare me atë Nënë Terezë që kam takuar unë, por kjo për autorin nuk ka rëndësi fare, sepse sikurse thotë vetë ai qëllimi i tij ishte figura e një "shenjtërie antigravitacionale". Viti 2007 solli plot dyqane të reja dhe bile supermarkete, po edhe ca ura të reja (në të vërtetë dhe ca të tjera bien vetë); dyqane të reja Vodafoni dhe AMC, pastaj u bashkua BIA me Bankën Amerikane; dhe Elsa Lila na kënaqi në Festivalin e Këngës në RTSH (sikur të ishin tërë shqiptarkat si ajo… E kam gabim, se i kish ikur aroma e mëmëdheut)! Pastaj gjela deti kish plot në pazar, më shumë se çdo vit, por vetëm se nuk shiteshin. Kish dhe bredha artificialë.Në vitin që lamë pas ka pasur ujë në shishe të ambalazhuara, por më pak në rubineta; ka pasur vaj ulliri bile edhe të rafinuar…Mishi nuk u ka munguar shqiptarëve…
Arben Kumbaro: 2007-ta shqiptarët i ndërgjegjësoi më shumë se ndryshimet në jetën e tyre nuk mund të jenë radikale dhe askush në politikë nuk ka në hipotekë, qoftë dhe në mënyrë të paligjshme, "Shkopin Magjik", që t'ua bëjë të prekshme hopet dhe zhvillimet pozitive në jetën e tyre. Arritjet më të mëdha i takojnë individit që ka kuptuar se liria mbi të gjitha është një zgjedhje dhe kuptim personal i botës, pavarësisht se jetojmë në një shoqëri që përgjithësisht nuk do dhe nuk respekton rregulla loje, e ku të gjithë i ngatërrohen nëpër këmbë njëri-tjetrit. Kryeministri tha se ngjarja më e madhe e vitit që sapo kaloi ishte vizita e Presidentit Bush. Për më tepër Bushi vizitoi edhe Fushë-Krujën. Dhe kjo është një e vërtetë që Fushë-Krujasit do ta tregojnë si përrallë tërë jetën e tyre, brez pas brezi...
Natasha Lako: E shoh shoqërinë shqiptare të vitit 2007 me më tepër ekuilibër. Dhe atje ku ka ekuilibër ka pjekuri. Ky ekuilibër solli një shpërndarje të ekonomizuar të pushtetit, në 2005 për PD në pushtetin qendror dhe në 2007 për PS në pushtetin lokal, veçanërisht për Tiranën, që sot përmban resurset më të mëdha kulturore ekonomike. Ishte një vendim i ri ekuilibrash që kërkon vizione të reja. Unë do t'i quaja vizione të botës shqiptare të cilat personifikohen në Botën e Drinit, jo thjesht simbolikisht, por në ekuilibrin që sjellin të dy krahët e tij. Kjo botë është glorifikuar dhe unizuar madje edhe në shtetin totalitarist, me ngritjen e hidrocentraleve dhe kapacitetit industrial që përmbante në vetvete, duke ngrirë dhe izoluar 70 % të popullsisë fshatare. Bëhet kaotik, konfuz dhe pak i hutuar çdo shqiptar që kupton se po rrënohen resurset ekonomike të botës së Drinit që njëkohësisht është edhe bota e parë e ekuilibrave të tij. Mbase kjo botë resursesh njëlumore i ka shkuar për shtat monarkive të dikurshme absolute apo sistemeve njëpartiake. Nga këto mësime shqiptaret do të vazhdojnë të kërkojne ekuilibra të tjerë, të rrjeteve të ndryshme, veçanërisht ekonomike. Jemi vërtet në periudhën e një inkubacioni.
Ledi Shamku-Shkreli: Dymijëeshtata e futi Shqipërinë përfundimisht në krahun e versantit përparimtar të planetit. Jo se nuk ishim aty, por dukej sikur ishim bishti i një lëvizjeje ndërkombëtare për progres. Ardhja e G. Ë. Bushit në Shqipëri tregoi se jemi një pjesë cilësisht e rëndësishme e kësaj lëvizjeje. Ardhja e Bushit i dha Shqipërisë dinjitet dhe i hoqi atë turp që shpeshherë binte mbi gjindjen tonë, kur Presidentucë të vendeve fqinje anullonin befas vizitat e tyre në Shqipëri. Mandej – dhe këtë dua ta them – shqiptaria fitoi këtë vit në botimin e disa veprave bazë të Albanologjisë, të cilat, për motive që dihen, nuk qenë botuar kurrë. Botohet von Hahni, nis të botohet vepra gjuhësore e M. Krujës, dhe ç'është më e rëndësismja, botohet Fjalori Etimologjik i G. Meyerit. Kombit po i hapen sytë që ia kishin mbyllë me superatack. Një albanologji e re po lind, jo mbi të djeshmen, mbi të vjetrën, atë autentike!
Artan Lame: Them se Shqipëria e ka humbur trenin e historisë dhe viti 2007 qe thjesht konfirmimi i radhës i këtij përfundimi të trishtuar. Këtë peshqesh ky vend e ka nga klasa e vet politike, që të paktën në 6 dekadat e fundit ka demonstrusar vazhdimisht paaftësi, miopi dhe vogëlsi shpirti. Në këto kushte, të pyesësh se çfarë na dha apo çfarë na mori njëri prej viteve të këtyre 6 dekadave është shumë pak.Ndoshta një ditë edhe ne do gjendemi në ndonjë prej vagonave të fundit të trenit, por edhe kjo nuk do të jetë për meritë tonën, por për meritë të Evropës që nuk mund të lerë pafundësisht një lypës prapa derës. Gjithë të tjerat, entuziazmi shterp apo gënjeshtrat e politikës, thjesht mund të prodhojnë vota dhe elektorat, por në asnjë mënyrë realitet pozitiv.
Fatos Baxhaku: As më shumë e as më pak se sa u kanë dhënë vite të tjerë, pra si e tërë bota dhe njerëzia edhe ne kemi kemi përfituar 365 ditë jetë më tepër, që nuk është edhe aq gjë e vogël në krahasim me lajmet e përgjakura që dëgjojmë për ditë. Në një kuptim më specifik 2007 më është dukur vit i një fenomeni shumë pozitiv, më duhet të them, ose ndoshta kështu ma ka ënda të jetë, se 2007 më shumë se të gjitha vitet e tjera ka shënuar një vit largimi nga militantizmi politik, aq i përhapur dhe aq mbytës në vitet parardhëse. Kam vënë re me kënaqësi se njerëzia te ne tashmë e ka kuptuar se jo gjitha gjërat vijnë nga qeveritë që shkojnë e vijnë, sikurse besohej deri vonë. Shumë shqiptarë i kanë vënë gjoksin punës pa e vraë edhe aq shumë mendjen se çfarë ndodh në kulisat e politikës. Pastaj 2007 ka qenë një vit që na ka njohur edhe më shumë me Kosovën. Shumëkush e kuptoi më në fund se çështja e Kosovës nuk është thjesht një çështje që buron nga patriotizma romantikë si ato të shekullit të XIX-të, porse është një çështje që ka të bëjë me interesin jetik të të gjithë shqiptarëve. Sigurisht këta që mendojnë kështu janë ende të pakët. Por është një rrëke njerëzish që shumë shpejt do të kthehet në një lumë njerëzor. Në fushën e krijimtarisë edhe të artit kam vënë re shenja të mira nga një brez i ri, që në 2007 do ta quaja plotësisht të formuar dhe shumë shpresëdhënës.
Ardian Vehbiu: Viti që shkoi nuk ka qenë vit i lehtë për shqiptarët, veçanërisht ata në Shqipëri. Megjithatë, nga ngjarjet e shumta të 2007-ës, të cilave shpesh u janë dhënë interpretime të përkundërta nga forca të ndryshme politike, unë do të veçoja vizitën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, e cila konfirmoi simpatinë me të cilën superfuqia e vetme e planetit i sheh përpjekjet e Shqipërisë për t'u emancipuar mes kombeve. Veçanërisht e rëndësishme m'u duk kjo vizitë edhe në rrethanat kur Europa shpesh skepticizmin ndaj perspektivave shqiptare në kontinent e ka përdorur si maskë për të fshehur përbuzjen dhe diskriminimin politik dhe kulturor ndaj nesh.
Shekulli: Çfarë u mori shqiptarëve dymijëeshtata?
Maks Velo: Vitet në vetvete nuk sjellin gjë, janë popujt që i sjellin apo jo vetvetes. Nga ana etike dhe morale ka rënie. Numri i vrasjeve për gjakmarrje, hakmarrje, llafmarrje, tokëmarrje, ndërmarrje, ligësimarrje, hiçmarrje, është shtuar. Është pasuruar repertori i ekzekutimeve dhe shtrirja territoriale, brënda dhe jashtë vendit. Është tronditës numri i vetëvrasjeve dhe mënyra si kryhen. Kjo tregon se trashëgimia jonë e kaluar nuk po korrigjohet dot lehtë, dhe kontakti me botën moderne prodhon vazhdimisht trauma sociale që nuk po i kapërcejmë dot. Mashtrimi, hipokrizia dhe teatraliteti janë mënyra më e përhapur e të drejtuarit, të këshilluarit dhe të korrigjuarit. Asnjë dhimbje e vërtetë dhe afeksion njerëzor nuk shihet në horizont. Ka shumë dhunë. Kurrkund nuk gjen butësi dhe mirësi. Të gjitha këto i solli lëvizja e pakontrolluar dhe e padisiplinuar e popullsisë në vitet '90, e bërë me qëllim si dhe mungesa e durimit dhe e të kënaqurit me atë që ke, dhe ajo që është më kryesorja mungesa e edukatës së punës.Trimëria e kultivuar nuk ish gjë tjetër veçse refuzimi i punës. Tani po i shohim hajrin. Nuk jemi as trima, as punëtorë. Për disa dhjetëra vjeçarë apo për dy qindravjeçarë do vuajmë këto pasoja. Duhet të korrigjojmë veten si komb, pastaj të presim nga Viti i Ri. Arben Kumbaro: Në të kundërt nga ai këndvështrim pozitiv i 2007-ës që dhashë pak më lart, mendoj se shqiptarët akoma nuk po tregohen të aftë për të vizionuar te ardhmen e tyre. Dua të them me këtë se janë shumë të rrallë zërat mes nesh, që flasin e mendojnë se si do jetë Shqipëria e pas dhjetë viteve. Shoqëria jonë nuk ka vizione për të ardhmen dhe secili nga ne e ka shumë të vështirë të mendojë për nesër, ngaqë na mungon krejtësisht qetësia e të sotmes. Na mungojnë:dritat, uji, shërbimet minimale publike, gjëra kryekëput elementare. Mbi të gjithandjejmë mungesën e një kohezioni social gjë që do ta nxiste elitën e kësaj shoqërie, nëse ka, të mendonte për të nesërmen, për perspektivën e saj. Pas dhjetë vjetësh jemi të sigurt që do ta tregojmë të sotmen si përrallë, por do themi si nuk punuam që përrallat të mos përsëriten sërish në këtë vend…
Natasha Lako: Mendoj se ndër më kaotikët, madje me dëshirën për ta ndjerë veten të mundur, janë edhe për vitin 2007 shkrimtarët shqiptarë. Për absurd ata mbeten barbarët e vetëm të kësaj shoqërije që kërkon të shijojë qytetërimin, pasi po për absurd janë vetë shkrimtarët që i kanë tejkaluar përmasat e rivalitetit brenda fshatit dhe dialektit të tyre. Jane ata që shprishën dhe shkatërruan edhe shoqatën e tyre të vetme të solidaritetit, madje e pushtuan godinën e dikurshme të Lidhjes si Pallatin e Dimrit. Me sa duket këta lloj shkrimtarësh e kërkojnë strehën dhe solidaritetin brenda partive, fiseve dhe klaneve.I bie nderi qeverisë shqiptare, që në godinën e re, të cilën e ka kthyer në rezidencë të MTKRS të paktën në lokalin anësor të ketë një qoshk të rezervuar dhe të mbetur vakant për një shoqatë dinjitoze të bazuar në programe dhe projekte të vërteta reale. Pasi nuk e kuptoj se si mund të administrojë një Ministri e Politikave Kulturore, jo vetëm salla shfaqjesh dhe ekspozitash por edhe lokalet e tregëtisë, si bëjnë rëndom të gjithë institucionet e tjera. Le të mbetet diçka edhe për shkrimtarët deri sa mbetet edhe për koncerte të brendshme.
Ledi Shamku-Shkreli: Dymijëeshtata i mori Shqiptarisë një vit kohë për faktin se Kosova nuk u shpall e pavarur. Kjo është një humbje kohe e rëndësishme për Kosovën, por njëkohësisht fitim kohe për serbët. Them kështu pasi gjatë kësaj kohe duket se është pjekë më tej aleanca e trekëndëshit Moskë–Beograd–Athinë. Ky trekëndësh ka një versant krejt antieuropian, por tashpërtash pesha e tij rëndon mbi Shqiptarinë, dhe këtë peshë nuk e ka lehtësuar aspak diplomacia jonë, e paqartë dhe e shushatur. Pavarësisht diplomacisë sonë, janë ushtarët shqiptarë në Irak ata që vërtet e mbrojnë kauzën e Kosovës. Rreshtimi i këtyre forcave atje i vlen kauzës së Shqiptarise më shumë se megafonët e diplomacisë sonë. E quaj "vit i humbur", ndonëse është e sigurt që Kosova do ta marrë pavarësinë, e pikërisht se do ta marrë, nuk u desh humbë ky vit. Nuk do lija pa përmendë, ofshé, edhe se Dymijëeshtata i mori Shqiptarisë At Zef Pllumin, njërin ndër rojet e saj! Përmenda këto; të tjerat janë ngjarje përditshmërie në jetën e një kombi.
Artan Lame: Ajo çka na dha apo na mori viti 2007, është si ajo që ju dha apo ju mori ky vit lypsave te Ura e Lanës. Të kapin no'i lek, të lajnë ndonjë xham dhe t'ia hedhin tutorit që i ruan ulur te bordura duke pirë raki. Edhe ata bëjnë bilancet e tyre, por që ndryshojnë shumë nga sfida e atyre që kalojnë pranë tyre me makina. Mbyllni sytë për një çast dhe kaloni ndër mënd gjithë fytyrat e politikës shqiptare nga i pari tek i fundit. Nuk besoj se mes tyre ju rezulton ndonjëri që e ka seriozisht vizionin e Evropës, të Integrimit, a të NATO-s. Dhe ti vjen e më pyet se ç'na dha e ç'na mori 2007-a. Liderët vizionarë janë rezultante e zhvillimit të popujve për shumë shekuj dhe nuk dalin në dritë se nënshkruam MSA-në apo se e kërkon OSBE-ja. Nuk më duket se viti 2008 do të jetë viti i pjekjes së madhe të shqiptarëve.
Fatos Baxhaku: Gjëja më e parë që më shkon ndër mend, dhe besoj se nuk jam i vemti, është se 2007 na mori dritën. Ka qenë një vit i kaluar thuajse në terr, në një situatë që të kujtonte skutat e errëta të Mesjetës. Dhe kur të marrin dritën imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me mendjen, shpirtin, krijimtarinë, të qeshurit, harenë, miqësinë e kështu me radhë. Janë, gjëra për të cilat jo vetëm ka nevojë një njeri i mijëvjeçarit të tretë, por, dhe kjo është më e rëndësishmja, janë gjëra për të cilat qeveritarët janë zotuar se do t'i plotësojnë deri më një, përndryshe kot që qëndrojnë në karriget e tyre të lëkurta. Kështu nuk ka ndodhur dhe shpirti ynë ka nisur të mpaket pak nga pak në errësirë. Mëndja jonë nuk është më e aftë të ndjekë e të analizojë atë që sheh ditën dhe sensi ynë i të kundërshtuarit është mbyllur pak nga pak brenda kuadrit të apartamenteve tona të ngushta. E gjitha kjo ndodh kur ende mundohen të na mbushin mendjen me dokra të tilla që zakonisht mbushen me fjalë të pakuptimta si "stabilizim, asocim, integrim". Këto tre fjalë tashmë janë bërë aq bajate sa ndokush mund të krijojë edhe barcoleta erotike me to. Është një histori e gjatë kjo e demogogjisë në errësirë, porse 2007 për mua arriti kulmin në këtë drejtim. Me pak fjalë, në 2007 na u hoq edhe më tej e drejta jonë për të menduar dhe për të ndikuar si qytetarë të një vendi që e cilëson veten si demokratik.
Ardian Vehbiu: Për të përmendur ngjarjen më negative, vështirësia më e madhe është të zgjedhësh, meqë të tilla ngjarje i gjen në çdo ditë kalendari, duke përfshirë edhe fundjavët. Por unë përsëri do të veçoja, si më negativen, vizitën e Presidentit George Ë. Bush në Tiranë; sepse dashur pa dashur ajo vizitë e legjitimoi klasën politike shqiptare në një kohë kur kjo klasë, me dështimet e veta të njëpasnjëshme, po e humbte krejt besueshmërinë në sytë e bazës. Madje jo vetëm e legjitimoi, por edhe u krijoi shumëve iluzionin se legjitimiteti i një klase në pushtet varet jo aq nga marrëdhëniet e saj me demosin, sesa nga koniunkturat politike dhe miratimi i "sulltanit" të radhës.