E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: Nisma e Nanos, një lëvizje që nuk lëviz

Intervista/ Ish-kryetari i Kuvendit shprehet për rritjen e pragut elektoral në nivelin e 4-5 përqindëve
 
“Angazhimi për të kontaktuar anëtarësinë në një tur me të tilla përmasa duhet vlerësuar pozitivisht”
 
Një sistem i pastër proporcional, me një prag elektoral në masën e 5 për qindëve. Ky është sugjerimi që bën ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, në lidhje me reformën zgjedhore. Në cilësinë edhe të kreut të Institutit të Sociologjisë, ai thekson se ka ardhur koha për një reduktim të numrit të deputetëve dhe vendosjes së rregullave të qarta të një gare elektorale. Në lidhje me zhvillimet brenda PS-së ai injoron deklaratat e nanoistëve për krijimin e një force të re politike, duke e konsideruar këtë nisëm si “një lëvizje që nuk lëviz”.
Z.Pëllumbi ka skaduar afati i dytë i Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ende forcat politike, përfshi edhe PS-në, nuk kanë një ide të qartë në lidhje me sistemin zgjedhor që duhet aplikuar në Shqipëri. Sipas jush, cili është sistemi që i përshtatet më mirë kushteve tona dhe që do të eliminonte të ashtuquajturin fenomen të “Dushkut”?
Çështja e reformës zgjedhore ka qenë objekt i punës edhe i Institutit të Sociologjisë në të cilin unë bëj pjesë. Dhe nga vëzhgimi që kemi bërë herë pas here, ne si institut kemi arritur në përfundimin se në Shqipëri duhet aplikuar një sistem i pastër proporcional, ku partitë të kandidojnë me lista të hapura kandidatësh. Ky besoj se duhet të jetë një propozim i cili duhet të mbështetet edhe nga PS, pavarësisht tipeve të sistemeve që janë hedhur sot për diskutim. Me këtë lloj sistemi (unë jam për një sistem proporcional të pastër kombëtar) ne do të bënim të mundur të eliminonim të gjitha ata elementë negativë që janë vënë re gjatë zgjedhjeve të shkuara, përfshi këtu edhe fenomenin e “Dushkut”. Së dyti, në procesin e reformës zgjedhore dhe të hartimit të Kodit të ri Zgjedhor, duhet të shikohet mundësia e kalimit në një Kuvend me një numër më të kufizuar deputetësh, të zgjedhur në bazë të këtij sistemi që unë përmenda pak më lart. Përsa i përket listave të kandidatëve unë theksoj se ato duhet të jenë të hapura, kjo për arsye se përcaktimi i tyre duhet bërë më parë se të fillojë një fushatë dhe të mos jenë kompetencë e kryetarëve të partive. Gjithashtu një tjetër standard i cili duhet të aplikohet në vendin tonë, është ai që fushata për përzgjedhjen e kandidatëve duhet të fillojë dy vjet përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Kjo do t’u jepte mundësi anëtarësisë dhe zgjedhësve, që të zgjidhte ata individë që shumica dëshiron dhe që besojnë se do të arrijnë të fitojnë. Megjithatë unë besoj se e rëndësishme është që të kemi një Kod Zgjedhor sa më të qëndrueshëm, për të evituar praktikën e deritanishme të ndërrimit "të rregullave të lojës" para çdo fushate zgjedhore. Në këtë rrafsh mund të gjenden edhe mekanizmat përkatëse, që do t'i hapnin rrugën përfaqësimit të grave në Parlament, nga 7.1 për qind, që është sot, në 25 -30 për qind, brenda dy mandateve të ardhshme. Qenia e Shqipërisë në vendin e 115 për këtë tregues, meriton të vlerësohet me seriozitetin më të madh.
Një tjetër çështje që ka ngjallur debat është edhe problemi i pragut elektoral. Partitë e vogla këmbëngulin që ai të mos ndryshojë. Besoni se dy partitë e mëdha duhet të mbështesin idenë e rritjes së tij, me qëllim spastrimin e politikës nga të ashtuquajturat “parti fantazmë”?
Ndryshimi i sistemit zgjedhor, do të ishte e natyrshme që të shoqërohej dhe me ndryshim të pragut elektoral. Ka ardhur koha që Shqipëria të tregojë se ka arritur një pjekuri politike dhe për këtë, të gjitha forcat politike duhet të përballen me një rritje pragu nga 2.5 për qind, që është tani, në 4 deri në 5 për qind. Kjo do të sillte një minimizim të forcave politike që do të përfaqësoheshin në Kuvend, por do të krijonte një klimë politike më të qëndrueshme dhe një përfaqësim më solid. Këto janë rregulla loje, me të cilat duhet të përballen të gjitha partitë politike.
Z.Pëllumbi një debat tjetër po zhvillohet edhe përsa i përket reformës në sistemin e drejtësisë. PS edhe pse ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim, nuk ka paraqitur ende një draft idesh, për mënyrën se si dhe çfarë duhet të prekë kjo reformë...
Idetë hidhen në tavolinë. Prandaj do të theksoja se, e rëndësishme është që edhe PS ka shprehur vullnetin për të kontribuar për realizimin e kësaj reforme. Në rast se do të ketë vullnet nga të dyja krahët, unë besoj se shumë shpejt do të arrihet dhe në një produkt konkret. Pra, dua ta ritheksoj se e rëndësishme për momentin mbetet shprehja e vullnetit për t’u bërë pjesë e reformës, pasi çështjet konkrete mbeten për t’u diskutuar në tryezë qoftë në rangun politik, ashtu edhe në atë teknik. Duhet të jetë e qartë se, realizimi i këtyre dy reformave është vënë si kusht edhe nga partnerët ndërkombëtarë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit në BE, prandaj, besoj se duhet punuar me më shumë seriozitet nga e gjithë klasa politike shqiptare.
Turi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, në bazë dhe angazhimi i tij për të hartuar një program politik dhe qeverisës, si një produkt i “Dialogut me Shqipërinë”, ka sjellë një reagim jo pozitiv nga disa prej figurave socialiste, të cilat nuk kanë ngurruar të theksojnë se programi duhet hartuar nga elita dhe jo nga baza. Komenti juaj?
Për hir të së vërtetës, më duket një debat krejt i kotë. Asgjë e keqe nuk po ndodh nga ky tur. Përkundrazi, do ta vlerësoja me nota pozitive. Angazhimi për të kontaktuar anëtarësinë në një tur me të tilla përmasa, duhet vlerësuar. Me anë të këtij dialogu po tërhiqen mendime nga anëtarësia, por duhet theksuar se në fund fare programi do të shkruhet nga specialistët në qendër. Ajo që po ndodh nuk është gjë tjetër veçse matje e pulsit të anëtarësisë dhe pse jo edhe elektoratit, për disa nga problemet më shqetësuese të shoqërisë tonë dhe reflektimi i tyre më pas në programin që do të shkruhet nga PS. Prandaj, siç e thashë edhe më lart unë e vlerësoj pozitive konsulencën me bazën.
Z.Pëllumbi një grup deputetësh socialistë të njohur si mbështetës të ish-kryeministrit Fatos Nano, pasi nuk arritën të miratojnë promemorien e tyre në Asamblenë Kombëtare kanë kërcënuar se shumë shpejt do të krijojnë një forcë të re politike...
Ajo është e drejta e tyre dhe besoj se komentet janë të tepërta. Por do të shprehja bindjen time se nisur edhe nga eksperiencat e vendeve me demokraci të zhvilluar, konkurrenca brenda partisë, në momentet kur ajo ndodhet në opozitë, nuk është pozitive. Konkurrenca në këtë rast, nuk sjell zhvillim por dëmtim të një force politike. Aq më shumë kur ky debat bëhet për interesa të personave të veçantë, të cilët me anë të presionit kundrejt kryesisë së partisë, kërkojnë të sigurojnë që tani një vend si kandidat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërsa, përsa i përket deklarimit për krijim të një force të re politike, kjo nuk është diçka e re pasi, po këta persona, për të njëjtën gjë janë shprehur dhe më parë. Megjithatë, në rast se zhvillimet politike në vijim do të sillnin krijimin e një force të re politike, atëherë kjo do të ishte një forcë emrash dhe jo idesh.
Çfarë efekti do të kishte kjo për të majtën?
Pa dashur të hyj në analiza të thella për një gjë që nuk ekziston, do të thosha se i gjithë ky aksion politik i ndërmarrë jashtë strukturave të partisë i ngjason një lëvizjeje që nuk lëviz.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›