E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP-ja djeg investimin e Bankës Botërore

Toka e tregut të ri të Gjirokastrës iu kthye ish-pronarit, pasi kishin filluar punimet

Prej më shumë se pesë vjetësh ka vazhduar odiseja e tregut të shumicës në qytetin e Gjirokastrës, një projekt i përbashkët i Ministrisë së Bujqësisë dhe Bankës Botërore ku përfituese është bashkia e këtij qyteti. Faza e parë e punimeve të këtij projekti, për të cilën janë financuar 510 mijë dollarë, ka përfunduar këtu e pesë vjet përpara.

Punimet për ndërtimin e këtij tregu nga firma ndërtuese “Skai” zyrtarisht kanë filluar më 9 tetor 2006, dhe pavarësisht disa problemeve që lindën atëherë mes bashkinvestitorëve, firmës ndërtuese dhe subjektit përfitues, punimet kanë përfunduar brenda afatit të kontratës. Mirëpo probleme të tjera lindën një vit më vonë, kur ky territor iu njoh nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe iu kthye si pronë private ish-pronarit të tokës në sipërfaqen prej 254.000 metrash katrorë, e barabartë kjo me rreth 43 mijë dollarë, sipas çmimit që ka toka në këtë zonë të Gjirokastrës.

Proceset gjyqësore me palë bashkinë dhe pretendentët për pronësi të një pjese të truallit nisën aty nga viti 2008 dhe ende nuk kanë përfunduar, duke e zymtësuar perspektivën e tregut të shumicës në qytet. Burime nga Bashkia e Gjirokastrës bëjnë të ditur se kur është kryer studimi i fizibilitetit të projektit për ndërtimin e tregut, toka ka qenë pa pronar dhe për më tepër që ato ndodhen mbi shtratin e lumit Drino dhe si rregull asnjëherë tokat pranë shtratit të lumenjve nuk kanë qenë prona private. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Vangjel Muço, kjo gjë vërtetohet edhe në hartën e vitit 2004, me të cilën operohet për ndërtimin në qytetin e Gjirokastrës. Vështirë të gjendet se kush ka gabuar në këtë rast, bashkia e qytetit që ka përcaktuar vendin e treguar dhe ia ka ofruar Bankës Botërore si investitor për ngritjen e tregut, apo Komisioni i Kthimit të Pronave në Gjirokastër bashkë me ish-pronarët, që për çudi u kujtuan një vit pas fillimit të ndërtimit për të kërkuar pronën e tyre. Sipas administratës së bashkisë, kërkesa për njohjen e pronës nga ish-pronarët është bërë më datën 16 korrik 2007, gati 9 muaj pasi tregu kish filluar të ndërtohej. Banka Botërore, për shkak të këtyre anomalive u tërhoq si investitor nga vazhdimi i projektit dhe për shumë vite askush nuk u prononcua për bllokimin e tregut, duke u justifikuar me pritjen e dhënies së verdiktit nga gjykata.

“Për sa u takon mosmarrëveshjeve lidhur me pronësinë mbi truallin, do të presim të dalë vendimi përfundimtar i gjykatës dhe nëse ish-pronarët fitojnë të drejtën e pronësisë, bashkia është e gatshme që të lidhë kontratën për qiranë e tokës sipas ligjeve në fuqi”, tha për “Shqip”, nënkryetari i bashkisë, Vangjel Muço.

Përfundimisht, këtë çështje të pazgjidhur apo “nyje gordiane” të komplikuar më në fund e ka zgjidhur Ministria e Bujqësisë, e cila i ka financuar Bashkisë së Gjirokastrës fondin prej 25 milionë lekësh për kryerjen e punimeve të fazës përmbyllëse të tregut të shumicës, i cili tashmë është tenderuar dhe pritet që firmë ndërtuese nga Tepelena, që fitoi këtë tender, të fillojë kryerjen e punimeve për asfaltimin e hapësirave të brendshme dhe ndriçimin.

Hapësirat e lira të këtij tregu në fazën e parë të ndërtimit të tij përfshijnë sipas projektit një sipërfaqe 8250 metra katrorë sheshe dhe rrugë të brendshme, 14 vende tregtimi të mbyllura, me sipërfaqe 684 metër katrorë, 16 vende tregtimi të hapura me sipërfaqe 256 metër katrorë, si dhe bllokun e administratës, ambientet e shërbimit, hyrjen dhe rrethimin e tij. Sipërfaqja e përgjithshme e objektit të ndërtuar gjatë fazës së parë përfshin rreth 10000 metra katrorë, ndërsa projekti i plotë, pas përfundimit të fazës së dytë, do të përfshijë sipërfaqen 28000 metra katrorë.

Kësisoj, 20 vjet pas kalimit në ekonominë e tregut të lirë, qyteti i Gjirokastrës do të ketë më në fund një vend të caktuar, që do të shërbejë si treg i shumicës, ndërkohë që situata dhe perspektiva më e zymtë është për tregun ambulant, i cili aktualisht funksionon mbi trotuarin e rrugës kryesore të qytetit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›