E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kafka, misteri brenda kutive sekrete

Ai nuk donte që shkrimet t’i botoheshin dhe i la porosi mikut të tij, Brod, që t’i digjte. Por ai një pjesë e botoi dhe një pjesë ia besoi dikujt tjetër. Sot vazhdon beteja për pjesën e panjohur të materialeve që ndoshta mund të nxjerrin në dritë anë të panjohura të krijuesit të “Metamorfozës”

Nuk ndodh shpesh që letërsia botërore të përfshihet në një situatë me përmasa kafkeske, por duket se një e tillë, që ka në qendër pikërisht të famshmin e letërsisë, Kafkën, sapo ka nisur. Bëhet fjalë për një betejë ligjore në lidhje me përmbajtjen e 4 depozitave që ndodhen në një bankë të Zvicrës, që prej disave mendohet se kanë brenda vepra të pabotuara të Franz Kafkës, apo qoftë edhe materiale të tjera që hedhin dritë mbi jetën e tij. Kjo betejë iu afrua fundit të mërkurën e kaluar, kur një gjykatës izraelit vendosi që materialet dhe letrat të cilat ndodhen në këto kuti duhet të bëhen publike. Dokumentet ishin vendosur në bankë në vitin 2008 nga dy motra izraelite, që luftuan për t’i mbajtur ato private. Kutia e parë u çel të mërkurën dhe u tha se ajo përmbante një histori të shkruar dhe të papublikuar të Kafkës. Pas kësaj, studiuesit pyesin se çfarë thesaresh letrare mund të mbahen ende brenda saj. është tashmë e njohur se njeriu që i ka dhuruar njerëzimit “Metamorfozën”, ia besoi një numër të madh të dorëshkrimeve të tij mikut të vet, Max Brod, duke lënë si amanet që ky t’i digjte pas vdekjes së autorit, e cila ndodhi në vitin 1924. Megjithatë, Brod i publikoi romanet e Kafkës, por një pjesë të letrave dhe shkrimeve të autorit të famshëm i çoi në Izrael dhe ia la sekretares së tij. Për këtë arsye, disa studiues mendojnë se nuk ka më vepra të pabotuara të Kafkës. Por, sipas tyre, mund të ketë letra personale të Brod, apo ditarë të tij, që mund të hedhin dritë për aspekte të panjohura të jetës së shkrimtarit të madh sipas këndvështrimit të mikut të tij: kryesisht për vitet kur Kafka ishte student, apo për fillimin e karrierës së tij si jurist e si nëpunës, që është një periudhë pak e njohur dhe e dokumentuar. Ndërsa për një shkrimtar italian dhe njohës të Kafkës, Mauro Nervi, miku i Kafkës, Brod, i publikoi të gjitha materialet që kishte. Por gjithsesi mund të kishte ende material njohës për vetë Brod apo miqtë e tjerë të Kafkës. Mirëpo ka edhe nga ata që janë shumë më entuziastë mbi materialet që mund të gjenden në depozitat e bankës së Zyrihut. Disa janë të bindur se ato përmbajnë ende vepra të papublikuara të shkrimtarit të madh, ose qoftë edhe blloqe shënimi të papërfunduara, apo letra të viteve të fundit të tij, si dhe 35 letrat që ai ia shkroi me dorë të dashurës së tij, Dora Diamant. Për pothuajse një dhjetëvjeçar pas vdekjes së Kafkës, Dora i mbajti të fshehta të gjitha shkrimet dhe letrat e Kafkës, duke pretenduar vazhdimisht se i kishte djegur. Por pas konfiskimit që i bënë nazistët letrave në vitin 1933, ajo më në fund ia rrëfeu Brod gënjeshtrën e saj, i cili nga ana e tij bëri shumë përpjekje për të rikuperuar të gjitha dokumentet e humbura të mikut të tij. Ndër dokumentet e panjohura mund të gjenden edhe 70 letra të shkruara nga Dora, drejtuar Brod-it mes viteve 1924-1952, dhe shumë studiues mendojnë se ato mund të gjenden në kutinë misterioze në Zyrih. Mes shumë paqartësive të kësaj historie, një gjë është e qartë, që sekretarja e Brod-it ia la koleksionin e ish-shefit të saj, të bijave Eva Hoffe dhe Ruth Wiesler, të cilat deri më tani kishin arritur që t’u rezistonin të gjitha presioneve dhe kërkesave të bëra nga Libraria Kombëtare e Izraelit, që donte t’i posedonte dokumentet përmes pretendimeve se ato ishin një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore hebreje. Kafka ishte hebre i lindur në Pragë dhe ka disa studiues që thonë se një rol të madh në veprat e tij luajti sionizmi, edhe pse askush nuk ka demonstruar deri më tani prova në mbështetje të këtij pretendimi.

Që prej dy vitesh vazhdon një betejë e ashpër legale për publikimin e materialeve që janë në fakt në pronësinë e dy motrave dhe kjo betejë arriti pikën kulmore me vendimin e gjykatësit hebre që i detyron motrat të bëjnë publike brendinë e kutive që ndodhen në bankën e Zyrihut, si dhe një kutie tjetër që ndodhet në Tel Aviv. Por këtu lind pyetja: Përse një bankë shumë diskrete zvicerane ka çeduar para resionecve të bëra nga një qeveri e huaj, në këtë rast nga qeveria izraelite? Vetë banka në fjalë, pra UBS, nuk ka dhënë ndonjë shpjegim, por sipas zëdhënësit të Shoqatës së Bankave Zvicerane, asnjë bankë zvicerane nuk do t’i përgjigjej një kërkese të tillë të bërë nga një vend i huaj, nëse nuk do të kishte marrë një kërkesë të ngjashme edhe nga ndonjë autoritet zviceran. Sipas Shoqatës së Bankave, në shumë raste bankat nuk e kanë idenë se çfarë mban të fshehur një klient në një depozitë. Në këto rrethana mbeten ende shumë pyetje që presin përgjigje. Sigurisht pyetja që jo vetëm studiuesit, por edhe admiruesit e shkrimeve të Kafkës bëjnë, është: A ka vërtet në kutitë misterioze vepra të pabotuara të shkrimtarit të madh, apo qoftë edhe të dhëna për jetën e tij të panjohura më parë? Detaje të mëtejshme në lidhje me këto arkiva të fshehta me siguri që do të publikohen në ditët në vijim. Megjithatë, ndërsa pak nga pak misteri do të zhbëhet dhe e vërteta do të dalë në dritë, ajo çfarë ka ndodhur prej vitesh përreth këtyre kutive të fshehta në banka është një ankth i vërtetë, më i madh nga ai që vetë Kafka i njohur për ankthe e makthe do të mund ta kishte imagjinuar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›