E Diel, 1 Nëntor 2026

Peçi: PD dhe PS nuk pranuan të konsultoheshin me Presidentin për gjyqtarët

Këshilltari juridik i kreut të shtetit tregon për ofertën që Topi i bëri paraprakisht palëve për kandidaturat e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë

Z. Peçi, kur pritet të vijnë për votim emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe atyre të Lartë?

Me informacionin që unë kam, pritet që në shtator me fillimin e sesionit të ri, të bëhen propozimet përkatëse. Në këtë proces, duke u kompletuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, do të propozohet edhe emri i kryetarit. Në lidhje me emrat dhe me detyrimin tonë për këto institucione, më shumë më duket se është një problem i ngritur për të zhvendosur vëmendjen ndoshta nga problemet e tjera ligjore që sot po bëhen objekt i debatit edhe në media.

A ka pasur ndonjë konsultim paraprak me palët politike për vendet vakante në këto institucione të rëndësishme?

Këtu dua të them se, edhe pse përzgjedhja e këtyre kandidaturave për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese është një e drejtë ekskluzive e Presidentit, ai këtë proces e ka kaluar në një mënyrë të re që në zgjedhjet e para. Kështu, Presidenti i Republikës ka krijuar një grup ekspertësh në rolin e konsulentëve për të përcaktuar, përveç kritereve ligjore që përcakton ligji, ç’kushte duhet të plotësojë një kandidat për Gjykatën e Lartë apo Kushtetuese dhe këto janë bërë publike dhe me pjesëmarrjen e faktorit ndërkombëtar që e kanë monitoruar procesin dhe janë shumë të interesuar për reformën në drejtësi. Por pasi janë bërë këto konsulta të domosdoshme publike dhe të hapura, është arritur në një konkluzion që disa nga aplikantët plotësojnë jo vetëm kriteret ligjore plotësojnë, por edhe ato që vendosen nga grupi i ekspertëve. Megjithatë, Presidenti i Republikës ka bërë një tentativë, do të thosha, pa hequr të drejtën e tij për të emëruar, por për të bërë pjesë të procesit të përzgjedhjes edhe përfaqësuesit e dy grupeve më të mëdha parlamentare të politikës, përkatësisht të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste. Në këtë mënyrë, Presidenti i ftoi këta përfaqësues që të bëheshin pjesë e këtij procesi përzgjedhje.

A ka ofruar Presidenti një formulë konkrete për këto negociata që ka dashur të bëjë me palët?

Po, ka pasur një formulë konkrete të propozuar nga z. Topi paraprakisht për këtë çështje. Kjo formulë është marrë në analogji me ligjin dhe me mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, d.m.th. gjyqtarët e Gjykatës së Apelit. Unë kam qenë personi që jam përcaktuar nga Presidenti i Republikës për të negociuar me krerët e grupimeve parlamentare, kam marrë kontakt me z. Patozi e me z. Ruçi dhe u kam bërë një propozim konkret që vinte nga z. Topi. Propozimi ishte, fjala vjen në Gjykatën Kushtetuese ishin gjashtë vende bosh, Presidenti i Republikës përzgjodhi në një listë 10 kandidatë, nga 80 aplikantë që mendoj se ishin brenda atyre kritereve të përcaktuara nga grupi i ekspertëve. Në këtë kuadër, grupit parlamentar të PD-së dhe të PS-së iu propozua që të hiqnin nga dy kandidatë që nuk i dëshironin nga lista dhe pjesa tjetër e mbetur të shkonin për votim në Parlament. Kjo tregon edhe pjesëmarrjen në këtë proces të forcave politike, por në fund të fundit ka dhe një tregues tjetër shumë të rëndësishëm, që lidhet me faktin se Presidenti nuk kishte preferenca individuale të njerëzve të caktuar, sepse përndryshe nuk do të propozonte këtë lloj formule. Sepse, në bazë të kësaj që presidenti fillimisht u propozoi forcave politike, dukej qartë që nuk kishte asnjë garanci që në emrat që do të hiqeshin nga PD dhe PS nuk do të ishin ata persona për të cilët ai mund të kishte preferencë individuale.

Cili ishte qëndrimi i PD-së dhe PS-së pas këtij propozimit të z. Topi?

Për fat të keq, pas bisedimeve me palët kjo formulë nuk u pranua. Partia Socialiste vonoi përgjigjen. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, z. Patozi, ka kthyer përgjigje pasi e ka konsultuar këtë propozim edhe me përfaqësuesit e tjerë të demokratëve. Më pas ai ktheu përgjigje, ku shprehu se ata nuk ishin dakord për një formulë të tillë. Sipas Patozit, PD-ja njihte vetëm të drejtën e Presidentit, por, nga ana tjetër, kreu i grupit të PD-së kërkoi që kandidaturat që do të paraqiste Presidenti Topi të mos ishin të përfshira në politikë, duke argumentuar se çfarë kuptonte me fjalën “politikë”. Ky ishte propozimi konkret që ne bëmë, duke u dhënë mundësi palëve që të bëheshin pjesë e përzgjedhjes së këtyre kandidaturave.

Ju thatë që kandidaturat e radhës së Presidencës për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë do të bëheshin në shtator. A nuk e keni “frikën” se ato mund të rrëzohen përsëri nga Partia Demokratike, siç ka ndodhur me tre nga kandidaturat që ju keni dërguar në Parlament?

Këtë gjë nuk mund ta parashikojë as Presidenti dhe as këshilltarët e tij. Ajo që dua të them është se Presidenti i Republikës, në përzgjedhjen e kandidaturave ka parasysh ndërmjet të tjerave dhe dy momente shumë të rëndësishme. E para lidhet me plotësimin e kritereve ligjore dhe e dyta, të shquhen dhe të jenë në plotësim të të gjitha kritereve që ka përcaktuar grupi i ekspertëve, përtej kritereve ligjore. Kuptohet që ky gjykim, ashtu siç është edhe gjykimi në Parlamentin e Shqipërisë, ka brenda një subjektivizëm. Nëse unë them se kjo kandidaturë ka një integritet të lartë moral, politik etj., një tjetër kur e shqyrton prapë mund të thotë që i mungon integriteti profesional. Kjo mund të thuhet edhe për një njeri që ka 20 vjet që punon në drejtësi. Ose mund të thuash që kjo kandidaturë nuk mund të ketë një mungesë të integritetit moral në kuptimin e gjerë të fjalës. Mund të thuhet edhe për ata që janë prokurorë të Gjykatës së Lartë dhe në fusha të tjera të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Pra, doza e subjektivizmit do më pëlqente që të thosha thjesht subjektivizëm, pa bërë aludime për gjëra të tjera. Kështu që në këtë këndvështrim nuk mund të parashikosh se çfarë do të ndodhë me kandidaturat që do të dekretojë Presidenti në të ardhmen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›