E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP, vetëm 50 për qind e dosjeve në Tiranë

Shkrija e zyrave rajonale AKKP, 35 mijë dosje nuk janë arshivuar në zyrën qendrore


Rreth 50 për qind e dosjeve të pronave që ishin pjesë e zyrave rajonale të AKKP nuk janë administruar nga zyra qendrore. Ky fakt ngadalëson shqyrtimin e 8 mijë ankesave në lidhje me çështjet e pronësisë të shtrira në të gjithë vendin. Burime nga Agjencia e Kthimit

dhe Kompensimit të Pronave bëjnë të ditur në zyrat rajonale janë rreth 70 mijë dosje. Deri tani janë administruar nga zyra qendrore 35 mijë ndërsa pjesa tjetër pritet të transferohet gjatë muajit të ardhshëm. AKKP-ja do të vijojë dhënien e vendimeve për dosjet e ish-pronarëve që kërkojnë vendime për njohjen e vendimeve të tyre. Projektligji përcakton që edhe zyrat rajonale të AKKP-së të shkrihen.


Ligji
Ligji i ka dhënë të drejtën AKKP-së që të shqyrtojë vendimet e dhëna në vite nga zyrat rajonale, ish-komisionet vendore. Ligji përcakton se një gjë e tillë është vendosur për shkak të abuzimeve që janë bërë me pronësinë. Sipas projektligjit, një rivendim i AKKP-së e bën të pavlefshëm vendimin e dhënë për një tokë të caktuar nga ish-komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit apo zyrave rajonale. Në ligj mësohet se pas një indice që mund të ketë drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, nis procedimin e verifikimit të ligjshmërisë së titullit të pronësisë. Pas verifikimit, AKKP-ja merr një vendim për lënin në fuqi të vendimit të mëparshëm që mund të jetë dhënë vite më parë ose e shfuqizon atë. Edhe në këtë rast, subjekti i prekur ka vetëm 1 muaj afat për dërgimin e vendimit në gjykatë.


Rishikimi i vendimeve
Ligji për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave parashikon që vendimet e dhëna në vit mund të rishikohen nga AKKP-ja dhe të ndryshohen ato nëse janë dhënë abuzivisht. Nga ana tjetër, të prekurit mund të ankohen në gjykatë. Ligji i ka dhënë të drejtën AKKP-së që të shqyrtojë vendimet e dhëna në vite nga zyrat rajonale, ish-komisionet vendore etj. Vetë projektligji përcakton se një gjë e tillë është vendosur për shkak të abuzimeve që janë bërë me pronësinë. Sipas projektligjit, një rivendim i AKKP-së e bën të pavlefshëm vendimin e dhënë për një tokë të caktuar nga ish-komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit apo zyrave rajonale. Projektligji thotë se pas një indiceje që mund të ketë drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, nis procedimin e verifikimit të ligjshmërisë së titullit të pronësisë. Pas verifikimit, AKKP-ja merr një vendim për lënin në fuqi të vendimit të mëparshëm që mund të jetë dhënë vite më parë ose e shfuqizon atë. Edhe në këtë rast, subjekti i prekur ka vetëm 1 muaj afat për dërgimin e vendimit në gjykatë.


Aplikimet
AKKP do të nisë nga puna për dhënien e vendimeve për më se 8 mijë dosjet që kanë mbetur pezull, të cilat presin një vendim për njohje. Sipas këtij ligji, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit do të japë një përgjigje, pozitive ose negative, për një dosje prone brenda 3 muajve në momentin që ajo niset të shqyrtohet. Në rast se subjekti nuk është i kënaqur me vendimin e AKKP-së, atëherë ai ka 30 ditë afat për të shkuar në gjykatë dhe të ankimojë këtë vendim. I gjithë ky proces nuk do të shkojë më larg se 31 dhjetori i vitit 2011, si afat i fundit ligjor për të dhënë të gjitha vendimet për pronësinë në këtë vend.


Kompensimin financiar
Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend ndryshimet ligjore, sipas të cilave, fondet për kompensimin financiar do të menaxhohen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke bërë që asnjë fond të mos digjet. Fondet për kompensimin financiar do të qëndrojnë gjithnjë në llogari të AKKP-së për tu përdorur në çdo kohë për kompensim financiar. Gjatë këtij viti, krahas fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit për kompensimin e ish-pronarëve, do të vijnë edhe fondet nga privatizimet strategjike, nga Agjencia e Legalizimeve si dhe nga forma të tjera të parashikuara. Në këtë mënyrë, ish-pronarët do të kenë në dispozicion fondin më të madh që kanë pasur për këtë vit. Krahas kompensimit financiar, pritet që gjatë vitit 2010 të fillojë edhe kompensimi fizik, por edhe kthimi fizik i pronës në të gjitha rastet e mundshme. Deri tani është krijuar një fond modest për kompensimin fizik për ish-pronarët, si rreth 200 objekte, pyje si dhe kullota.

Regjistrimi dixhital i pronës
Programi i qeverisë pritet të mbyllë fillimisht një problem të hasur në vite, regjistrimin e pronës. Përfundimisht, pronat do të jenë të gjitha të regjistruara në regjistra elektronikë dhe mbi 4 milionë prona të paluajtshme të shqiptarëve do të regjistrohen në formë dixhitale. Ky projekt ka nisur tashmë dhe brenda vitit 2011, sdo të ketë më letër në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Një tjetër projekt është edhe dixhitalizimi i arkivës dhe dokumentacionit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe kjo do të bëhet brenda vitit 2010. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka qindra-mijëra dosje, të cilat tashmë do të kalojnë në arkiva elektronike. Një tjetër detaj i kësaj reforme është dhënia me koncesion e shërbimit të hipotekës. Brenda vitit 2011, Berisha premtoi se një kompani serioze do të marrë me garë të hapur shërbimin e Zyrave të Regjistrimit. Pra çdo shërbim nga kjo zyrë do të jetë nga një kompani private, e cila do të menaxhojë të gjithë regjistrin e pronave dhe kjo do të thotë më shumë shërbime dhe lehtësi për qytetarët.

Si do realizohet kthimi i pronës
Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 100 ha, në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) nuk kanë përfituar nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 "Për tokën". Kur subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) kanë përfituar tokë nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 "Për tokën", atëherë sipërfaqja që kthehet apo kompensohet, sipas këtij ligji, llogaritet si diferencë ndërmjet pjesës që do t'i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 "Për tokën", me sipërfaqen që secili prej tyre ka përfituar nga zbatimi i këtij ligji. U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit Nr. 7665, datë 21.1.1993 "Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin", të ndryshuar.  Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore-shkencore dhe në çdo veprimtari tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore, por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.  Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord për ti përdorur për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar.  Kur investimi është kryer mbi një tokë pronë publike, subjekti kontraktues i paguan shtetit brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimin e tregut. Të ardhurat e realizuara nga shitja përfshihen në fondin e kompensimit të pronave. Subjektet e shpronësuara, pronat e të cilave janë përmbytur nga ndërtimi i hidrocentraleve, trajtohen sipas dispozitave të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur kanë përfituar sipas ligjit "Për shpronësimet për interes publik". Toka do të vlerësohet si truall industrial. Subjektet e shpronësuara dhe të kompensuar sipas ligjeve në fuqi kanë të drejtën e përfitimit nga ky ligj vetëm për pjesën e pronës së pakthyer ose të pakompensuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›