E Diel, 1 Nëntor 2026

AKMC apel për vigjilencë: Rritet rreziku i zjarreve nga temperaturat e larta

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile apeloi sot për rritje të vigjilencës nga institucionet dhe qytetarët, pas paralajmërimeve për temperatura të larta dhe rrezik të shtuar të zjarreve në ditët në vijim.

Në një postim në rrjetet sociale, AKMC, duke iu referuar të dhënave më të fundit të mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, bën të ditur se për Greqinë dhe Turqinë parashikohet një nivel shumë ekstrem i rrezikut nga zjarret, ndërsa situata mbetet kritike edhe në disa pjesë të tjera të Evropës.

Sipas AKCM-së, rritja e temperaturave në rajon pritet të ndikojë edhe në Shqipëri, duke shtuar rrezikun për shfaqjen dhe përhapjen e zjarreve.

Në këtë kuadër, AKMC u ka kërkuar njësive të vetëqeverisjes vendore, prefekturave dhe forcave operacionale të mbajnë në gatishmëri kapacitetet njerëzore dhe logjistike, të reagojnë menjëherë ndaj çdo vatre zjarri dhe, në rast të shterimit të kapaciteteve vendore, të kërkojnë pa vonesë mbështetje, sipas procedurave të sistemit të mbrojtjes civile.

AKCM u bën thirrje qytetarëve të respektojnë masat parandaluese, duke shmangur ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, djegien e mbetjeve apo barishteve dhe hedhjen e bishtave të cigareve në pyje, kullota ose pranë bimësisë së thatë.

AKMC apelon gjithashtu që çdo vatër zjarri të denoncohet menjëherë pranë shërbimeve të emergjencës, duke theksuar se raportimi në kohë është vendimtar për kufizimin e përhapjes së flakëve.

“Parandalimi është përgjegjësi e përbashkët. Me kujdesin dhe bashkëpunimin e të gjithëve, mbrojmë jetën, pronën dhe mjedisin”, thekson Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›