AKP: EULEX-i e UNMIK-u t’i lirojnë pronat shoqërore

Prania e EULEX-it dhe UNMIK-ut nuk po duket aq e dobishme për agjencinë kosovare të privatizimit. Shfrytëzimi i pronave shoqërore nga misionet ndërkombëtare ka filluar t’i nxjerr telashe agjencisë që po udhëheq shitjen e aseteve shtetërore.
Deri më tani çështjen e uzurpimit agjencia ua ka lënë ta zgjidhin vetë blerësve në konteste private. Por, tani rastet e ndërmarrjeve që janë në shfrytëzim nga misionet ndërkombëtare po bëjnë që AKP të mos mund të hedh në shitje pa probleme ndonjërën prej tyre. Po ashtu blerësit kanë filluar t’i kërkojnë kushte veçanta AKP-së.
Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi thotë se i janë drejtuar sërish EULEX-it dhe UNMIK-ut për të kërkuar të liruar disa nga pronat.
“Ne i kemi shkruar EULEX për të liruar disa nga pronat që planifikohen të privatizohen. Njëjtë edhe për qiranë e objekteve që shfrytëzohen, por EULEX na është përgjigjur se si mision janë në kuadër të rezolutës 12 44 dhe se për këtë duhet të drejtohen në UNMIK. Ne i jemi drejtuar së fundi edhe UNMIK-ut por nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Kaloshi për Radio Kosovën.
EULEX-it nuk ka dhënë përgjigje rreth kërkesës së Agjencisë së Privatizimit. Ndërsa UNMIK –u përmes zëdhënëses Andrea Young ka shpjeguar se për shfrytëzimin e këtyre pronave ka një marrëveshje që nga viti 2006.
“UNMIK-u do të vazhdojë të përdorë atë që misioni e konsideron të nevojshme për vete, siç është rasti me EULEX-in. Në këtë drejtim të drejtat e vazhdueshme të UNMIK-ut kanë qenë në vazhdimësi të pranuara duke përfshirë një marrëveshje me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit në vitin 2006, detyrimet ndaj së cilës vazhdojnë të jenë në vend edhe në AKP”, ka thënë Young për Radio Kosovën.
Por Agjencia Kosova e Privatizimit sipas Kaloshit po kërkon që pronat që planifikohet të hidhen tash e tutje në privatizim të lirohen.
Aktualisht të dyja misionet, EULEX dhe UNMIK, kanë në shfrytëzim pa qira; tri prona në Komunën e Prishtinës: N.SH Amortizatorët, NSH Mekanizimi dhe NSH Përparimi. Në Prizren NSH Farmakosi dhe Njësia e prodhimit (Ndërtesa e Kaltër), në Pejë NSH “Dukagjini-remonti” dhe ndërmarrjen Agrikultura në Gjilan.(RTK)