E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keq për Serbinë

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se njerëzit e Qeverisë së re në Serbi janë antieuropianë dhe antidemokratikë, e që kanë udhëhequr luftëra në dy dekadat e fundit. Megjithëkëtë, ai ka thënë se Prishtina do të sillet me Beogradin varësisht nga politika e saj karshi Kosovës, Ballkanit dhe BE’së

Pas votimit të Qeverisë së re në Serbi, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se me këtë rast qytetarët serbë janë kthyer në vitet e errëta 90-të, ku të njëjtat parti kanë udhëhequr luftërat në vendet e rajonit.

Në një bisedë për Express, Hoxhaj ka thënë se koalicioni i Nikolicit dhe Ivica Dacicit duhet të fokusohet në kufijtë e Serbisë dhe të ndjekë rrugën europiane e jo të merret me Kosovën.

“Një koalicion i tillë politik është një koalicion i luftës së 90-ës, padyshim një koalicion antidemokratik dhe antieuropian dhe është një koalicion që para njëzet vitesh dhe në vitet e mëvonshme ka udhëhequr luftëra kundër Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës”, ka thënë Hoxhaj të premten.

“Kjo Qeveri për shkak të një të kaluare të errët të tyre do të duhej ta kuptonte njëherë e përgjithmonë se fati politik i Serbisë është brenda kufijve të saj dhe jo jashtë kufijve të saj”, ka shtuar ai.

Ministri i Jashtëm ka thënë se do ta vlerësojë Qeverinë e re në Beograd varësisht se çfarë qëndrimi mban ajo në raport me Republikën e Kosovës, Ballkanin dhe Europën.

“Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga gjysma e shteteve të OKB’së. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe historia e njohjeve është proces i pandalshëm dhe Kosova përherë do të jetë pjesë e shteteve të pavarura dhe demokratike të rajonit e botës. Ne e ftojmë Qeverinë e Serbisë që më shumë të fokusohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Serbi, në përmirësimin e gjendjes ekonomike, në modernizimin e shoqërisë sesa të ndjekë një politikë, e cila dihet se në vitin 1998 në rrafshin politik, rrafshin ushtarak ka dështuar në Kosovë”, ka deklaruar Ministri Hoxhaj.

Duke komentuar deklaratat e Kryeministrit të ri serb Dacic për vazhdimin e dialogut, kryediplomati Hoxhaj ka thënë se me Serbinë nuk do të ketë kurrfarë dialogu teknik pa u zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura më herët.

“Qëndrimi jonë është i qartë: Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë takim të radhës në Bruksel në kuadër të dialogut teknik, i cili solli shtatë marrëveshje në nëntë raunde të takimeve për pa ndodhur implementimi i tërësishëm i marrëveshjeve të arritura”, është përgjigjur Hoxhaj.

“Marrëveshjet e arritura nuk kanë asnjë vlerë nëse mbeten në letër”, ka shtuar ai.

Kohëve të fundit zyrtarët e BE’së kanë shpeshtuar deklaratat në drejtim të Prishtinës që të bisedojë me Serbinë për zgjidhjen e problemit të veriut.

Por, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, thotë se s`do të ketë kurrfarë dialogu me Beogradin për territorin e Kosovës.

Ai ka thënë se do të ketë dialog të brendshëm me serbët në Kosovë për të integruar veriun.

“Për sa i takon situatës në veri të vendit, do të jetë një dialog i brendshëm, i brendshëm, dhe vetëm i brendshëm, i cili shënon integrimin e tri komunave në veri të Kosovës me pjesën tjetër të vendit në përputhje me Kushtetutën, Pakon e Ahtisaarit”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›