E Diel, 1 Nëntor 2026

AKR përjashton nga partia kritikuesin e Kusari-Lilës

Aleanca e Re e Kosovës e Behgjet Pacollit ka përjashtuar sot nga të gjitha strukturat partiake anëtarin dhe deputetin e saj në Kuvendin e Kosovës, Emin Gërbeshi.

“Në mbështetje të kompetencave dhe përgjegjësive të parapara me Statutin e Aleancës Kosova e Re, neni 30 dhe 31, dhe në konsultim me kryesinë e ngushtë të partisë, për shkak të mosrespektimit, në vazhdimësi, të Statutit dhe të parimeve programore të AKR-së, mosrespektimit të qëndrimeve të Grupit Parlamentar, ofendimeve dhe shpifjeve publike dhe të vazhdueshme ndaj kolegëve marr vendim për përjashtim të z. Emin Gërbeshi nga Aleanca Kosova e Re.

I njëjti përjashtohet edhe nga Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re.

Obligohet Kryetarja e Grupit Parlamentar të ndërmarrë procedurat për zëvendësimin në Komisionet Parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e dërguar medieve dhe të nënshkruar nga presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Në seancën e djeshme të Kuvendit, në të cilën u shqyrtua mocioni për shfuqizimin e taksës së importit për çimenton, deputeti Gërbeshi kërkoi dorëheqjen e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila është njëherësh edhe nënkryetare e AKR-së.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›