AKR: Lunacek ra pre keqinterpretimeve të medieve?

Sipas AKR, zonja Lunacek është përdorur me qëllim nga ana e disa medieve dhe qarqeve të caktuara në Kosovë, të cilat tash e sa kohë nuk pushojnë së reshturi, në lanismin e lloj lloj intrigave ndaj zv/Kryeministrit të parë të qeverisë së Kosovës, njëherit president I AKR-së dhe punës së gjithë qeverisë së Kosovës.
“Dëshirojmë të bëjmë me dije, se tendencat e grupeve të ndryshme tashmë janë shpërfaqur publikisht dhe për fat të keq kanë arritur që të përfshijnë edhe një numër të miqve të Kosovës, siç është rasti me zonjën Lunaqek”, thuhet në komunikatën e AKR-së.
AKR, janë të prirur të besojmë se eurodeputetja e nderuar Lunacek nuk i është referuar me këtë rast zotit Pacolli, sepse kësisoj do të binte në kundërshtim edhe me frymën e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe parimeve Europiane të cilat prezymojnë pafajësinë në secilin rast.
“Për më tepër, zëvendëskryeministri Pacolli nuk ka pasur asnjëherë ndonjë njoftim se kundër tij janë duke u zhvilluar hetime. Përkundrazi, në këtë rast konsiderojmë se veprimi i z.Pacolli i cili me kohë ka denoncuar një rast korrupsioni në autoritetin e duhur, duhet të çmohet dhe të vlerësohet nga të gjithë, e veçanërisht nga ata të cilët kërkojnë nga institucionet e shtetit të Kosovës, sundimin e rendit dhe të ligjit”.
“Aleanca për Kosovën e Re, i bën thirrje zonjës Lunacek të deklarohet përkitazi me deklaratën në fjalë në mënyrë që të mos bie pre e keqinterpretimeve të medieve dhe grupeve të caktuara, të cilat me çdo kusht kërkojnë “kokën” e atyre që janë të vendosur dhe veprojnë për sundimin të rendit dhe ligjit. AKR edhe njëherë shpreh gatishmërinë e plotë të saj, që të jetë në funksion të vendosjes së shtetit ligjor”.
Tutje, AKR tashmë është e bindur për një orkestrim të veprimeve nga më të ndryshmet në përpjekje për ta rrëzuar qeverinë e Kosovës, ndër të tjera duke sulmuar një nga figurat kyqe të partnerëve të koalicionit,me qëllim të realizimit të agjendave të tyre politike.
Kjo është dëshmuar edhe nga miqtë e mëdhenj të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e proceseve politike, e të cilët kanë deklaruar se në Kosovë ka grupacione të cilave u pengon zoti Pacolli dhe disa figura të tjera të skenës politike.
“AKR beson fuqimisht në përkrahjen e institucioneve ndërkombëtare dhe të miqve të Kosovës, në proceset zhvillimore në vend, njëkohësisht kërkojmë që gatishmëria e tyre mos keqpërdoret për luftë për pushtet. Zoti Pacolli në vazhdimësi ka treguar përkushtim dhe përgjegjësi në avansimin e proceseve të përgjithshme në vend, dhe të njëjtën gje do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen”, thuhet në fund të deklaratës.
Lunacek: Dorëheqja e Pacollit përmirëson imazhin e Kosovës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek e pyetur nga gazetarët lidhur me rastin e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, i cili është nën hetime nga prokuroria e Eulex-it, si i dyshuar për afera korruptive në rastin e “Grandit” ka thënë se dorëheqja e tij do të ishte shembull i mirë dhe do ta përmirësonte imazhin e Kosovës.
Ndërkaq, ka mbështetur presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga në qëndrimin e saj për të mos dhënë dorëheqje nga posti i të parës së vendit. Lunacek këto komente i ka bërë në Prishtinë, pas Samitit Ndërkombëtar të Grave “Partneriteti për Ndryshim, Fuqizimi i Grave”, i organizuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Sa i përket aferave korruptive të zyrtarëve shtetëror, Lunacek ka theksuar faktin se këto gjëra ndodhin edhe në vendet e BE-së, mirëpo ka thënë se nëse dikush është i përfshirë në ndonjë krim të rëndë, atëherë do të ndihmonte nëse ai person do të dorëhiqej.
“Nëse dikush akuzohet për krime të rënda mendoj se dorëheqja do të ndihmonte shumë si për imazhin e Kosovës po ashtu edhe për vet perceptimin që kanë qytetarët për politikanët. Politika nuk duhet të jetë një biznes i ndyrë, por ndonjëherë ashtu perceptohet nga njerëzit sepse ndonjëherë ka afera korruptive në politikë dhe kjo jo vetëm në Kosovë por edhe në shumë shtete të tjera, përfshirë edhe Austrinë, vendin tim”, ka thënë Lunacek.
Ndërkaq, ka mbështetur presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga në qëndrimin e saj për të mos dhënë dorëheqje nga posti i të parës së vendit, duke thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ia mundëson asaj të qëndroj në detyrë.
“Është e plotësisht e drejtë që presidentja, Atifete Jahjaga të qëndroj në zyrën e saj, dhe kjo për dy arsye, një sepse pjesë të marrëveshjes mes tre liderësh nuk janë zbatuar ende dhe së dyti, vendimin i Gjykatës Kushtetuese ia mundëson asaj të qëndroj në detyrë”, ka deklaruar Lunacek.
Ndërkaq për liberalizimin e vizave ka thënë se është proces në vete, duke shtuar se, duhet bërë progres edhe në disa fusha tjera, siç janë çështja e letërnjoftimeve ose çështja e regjistrimit të njerëzve.
Çështja tjetër që pengon procesin e liberalizimit të vizave, sipas Lunacek, është se ende në shumë vende Kosova ka imazh të keq dhe për këtë çështje, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ana e Policisë së Kosovës dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë është shumë i rëndësishëm.
“Kosova ka imazh të keq dhe për këtë çështje, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ana e Policisë së Kosovës dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë është shumë i rëndësishëm. Kjo do të bindë edhe ata që janë duke hezituar për liberalizim të vizave të vazhdojnë tutje. Por udhërrëfyesi është çështje teknike”, ka thënë ajo.
Eurodeputetja austriake, Lunacek ka shprehur zhgënjim me klasën e re politike në Serbi që deklaron se vendit të tyre nuk i nxitohet për të hyrë në BE. Sipas saj, kjo është pa përgjegjësi e skajshme, sepse siç ka theksuar ajo, BE-ja mund ta humb interesimin për Ballkanin perëndimor sepse brenda vet BE-së ka probleme shumë më të mëdha. /kosovapress/