Euroxibition thyen kufijtë

Ekspozita ‘Euroxibition’ paraqet diçka më tepër se vetëm një ekspozitë të fotografive. Bëhet këtu fjalë për - siç thonë vetë autorët e ekspozitës – një thyerje të kufijve, për nderimin e urave, dhe për dërgim të sinjaleve.
Dhjetë fotografë të rinj, pesë nga Serbia dhe pesë nga Kosova, kanë paraqitur këndvështrimet e tyre për Europën, BE’në dhe eurointegrimet. Në të njëjtën kohë, përmes tyre, është paraqitur edhe bashkëpunimi i pjesëtarëve të dy shoqërive pothuajse plotësisht të ndara.
Fotografitë që do t’ju bëjnë të qesheni ose të mendoheni, por edhe të cilat do t’i kuptoni pavarësisht se nga cila anë e kufirit (apo vijës administrative) qëndroni, janë prezantuar në selinë e Parlamentit Europian, në Bruksel.
“Shpresoj se kjo ekspozitë do t’iu ndihmojë të gjithë atyre që brenda mendjeve të veta ende i ruajnë kufijtë, dhe të cilët mendojnë se njerëzit që iu përkasin grupeve të ndryshme etnike nuk do të duhej të komunikojnë mes veti, të jenë miq dhe të punojnë bashkërisht në ato që ne i definojmë si vlera evropiane”, deklaroi raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Urlike Lunacek, gjatë hapjes së ekspozitës ‘Euroxibition’. Fjalimi i saj u përshëndet me duartrokitje nga të pranishmit, në mesin e të cilëve ishin edhe ambasadorët e Kosovë dhe të Serbisë në Bruksel.
Eurointegrimet frustuese
Me objektivët e kamerave të tyre fotografët e rinj shënuan se si përjetohet Bashkimi Europian në Serbi, por edhe në Kosovë. Në këtë mënyrë ata treguan se imazhi nuk është gjithnjë pozitiv, dhe se, nganjëherë rrugëtimi drejt eurointegrimeve duket mjaft frustues. Madje, disa nga fotografitë e ekspozuara në Bruksel ishin edhe objekt i polemikave për censurë edhe brenda vetë Parlamentit Europian.
“Të gjitha fotografitë rrezatojnë me energji dhe emocione të gjeneratës së re në Serbi dhe në Kosovë. Ne duhet që këtë energji të akumuluar ta lirojmë, dhe që Ballkanin ta pranojmë haptas dhe me sinqeritet”, konsideron nikoqiri i dytë i ekspozitës, raportuesi i Parlamenti Europian për Serbinë, Jelko Kacin, Sipas tij, jo vetëm kjo ekspozitë, por edhe vetë ky bashkëpunim paraqesin një hap me rëndësi për bashkëpunimin dhe pajtimin e ardhshëm në rajon. Ndryshe, vetë projekti ka lindur nën patronazhin e Forumit Europian Alpbach, në krye të të cilit për shumë vite me radhë qëndron koordinatori shumëvjeçar i Patit të Stabilitetit për Ballkanin Perëndimor, Erhard Busek.
“Çfarë janë njerëzit në Kosovë?”
Në kohë kur flitet për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE’në, është shumë me rëndësi që të mos harrohet edhe afrimi rajonal me njëri-tjetrin.
“Kur u takuam me miqtë tanë nga Serbia, ata më pyetën: ‘Çfarë janë njerëzit në Kosovë?’ U kishin thënë se janë të ndryshëm.
Supozoj se e njëjta pyetje atyre iu parashtrohet edh nga pala kosovare”, pohon taulant Hoxhaj, kryetar i Iniciativës Alpbach për Kosovë. Hoxhaj dhe miqtë e tij nga Serbia thonë se kanë dëshirë të tregojnë se bashkëpunimi është i mundur, njësoj siç është e mundur të shikohet edhe përtej rrethit ku jetojnë. megjithëse, e pranojnë se për ta bërë këtë punë u është dashur shumë mund dhe guxim.
“Për ne është me rëndësi të tregojmë se brenda shoqërive tona ekzistojnë njerëz që dëshirojnë të bëjnë hapin e parë përpara, dhe që dëshirojnë të ndërtojnë ura të reja”, përfundon kryetarja e Klubit Apbach nga Beogradi, Milana Sredojevic.DW