AKR-ja kënaqet me atë që i jep PDK-ja

AKR-ja më kot e ka zvarritur marrëveshjen me PDK-në për bashkëqeverisje në komunën e Ferizajt. Në fund, kjo parti ka marrë vetëm atë që PDK-ja i ka ofruar në fillim të negociatave.
Në prezencë të kryetarit të komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemailit, kryetari i Degës së PDK-së, Ylber Topalli dhe ai i Degës së AKR-së, Ramadan Hasani kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje katërvjeçare. Në fakt ata vetëm kanë konfirmuar vazhdimin e bashkëqeverisjes.
AKR-ja ka marrë aq sa kishte edhe në këto dy vitet e kaluara, përkatësisht tri drejtori dhe postin e zëvendëskryesuesit të Asamblesë komunale.
PDK-ja, madje nuk ia ka dhënë kësaj radhe Drejtorinë Komunale për Zhvillim dhe Planifikim, duke e vlerësuar si të rëndësishme dhe si të tillë e ka ndalur për vete. Në vend të kësaj AKR-së ia ka dhënë Drejtorinë Komunale për Shërbime Publike dhe Emergjencë. AKR-ja vazhdon ta mbajë Drejtorinë Komunale për Bujqësi dhe at për Rini, Kulturë dhe Sport.
Kryetari i Degës së AKR-së, Ramadan Hasani ka thënë se është e natyrshme që në negociata të kërkohet maksimumi. Në anën tjetër kryetari i Degës së DK-së, Ylber Topalli ka vlerësuar se ky koalicion ka qenë i pritshëm dhe në interes të qytetarëve të komunës së Ferizajt. Edhe kryetari i komunës, Bajrush Xhemaili, ka përgëzuar marrëveshjen duke e vlerësuar si një vazhdim të mirë të bashkëqeverisjes.