AKR mori ministri të dështuar!

Përfaqësues të partive opozitare e kanë vlerësuar të dështuar punën e Besim Beqajt në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, derisa ky i fundit është transferuar në atë të Financave pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
Deputetët opozitarë, duke i komentuar këto zhvillime, kanë thënë se lëvizjet janë bërë për interesa të ngushta individuale dhe nuk kanë të bëjnë me ngritjen e punës drejt zhvillimit ekonomik. Partneri i PDK-së në koalicion, sipas tyre, ka marrë të drejtojë një dikaster të dështuar.
Kritikë për punën e Beqajt janë shfaqur edhe vetë deputetët e partisë në pushtet AKR-së. Myzejene Selmani, shefe e Grupit parlamentar të kësaj partie, ka thënë se AKR-ja e ka pasur një strategji ndryshe lidhur me privatizimin e disa prej ndërmarrjeve kryesore, shkruan Tribuna.
“Të jem e sinqertë, çështja e privatizimit të distribucionit të KEK-ut dhe PTK-së do të ishin në vija krejt ndryshe. Mirëpo ato që kanë shkuar - kanë shkuar, dhe nuk mund t'i kthejmë proceset mbrapa, sepse tash janë kontraktuar marrëveshjet me kompanitë”, ka theksuar Selmani. /Indeksonline/