AKT NORMATIV PËR DËRGIMIN NË REPUBLIKËN E ÇADIT DHE NË REPUBLIKËN E AFRIKËS QENDRORE, SI KONTRIBUT I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË NJË KOMPANIE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, PËR TË MARRË PJESË NË OPERACIONIN “EUFOR TCHAD/RCA”, TË BASHKIMIT EVROPIAN
AKT NORMATIV
PËR
DËRGIMIN NË REPUBLIKËN E ÇADIT DHE NË REPUBLIKËN E AFRIKËS QENDRORE, SI KONTRIBUT I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË NJË KOMPANIE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, PËR TË MARRË PJESË NË OPERACIONIN “EUFOR TCHAD/RCA”, TË BASHKIMIT EVROPIAN
Në mbështetje të neneve 12, pika 3, dhe 101, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Neni 1
Dërgimin në Republikën e Çadit dhe në Republikën e Afrikës Qendrore, të një kompanie të Forcave të Armatosura, në kuadër të kontributit të Republikës së Shqipërisë, për të marrë pjesë në operacionin “EUFOR Tchad/RCA”, të Bashkimit Evropian, në zbatim të rezolutës nr.1778, datë 25.9.2007, të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Neni 2
Misioni i autorizuar i kompanisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të jetë, si më poshtë vijon:
1. Sigurimi i Shtabit të Përgjithshëm të EUFOR-it, me vendndodhje në qytetin e N’Dajmenës, Republika e Çadit.
2. Patrullimi në rajonin e qytetit të N’Dajmenës.
3. Shoqërimi dhe sigurimi i personaliteteve, civile dhe ushtarake, të rëndësishme, nga aeroporti në kamp e anasjelltas.
4. Shoqërimi dhe sigurimi i trupave, që mund të lëvizin nga kampi, që ndodhet në qytetin N’Dajmena, për në kampin, që ndodhet në qytetin Abéché, përfshirë edhe sigurimin e këtyre trupave, sipas situatës operacionale.
Neni 3
Ushtarakët, që do të marrin pjesë në operacionin “EUFOR Tchad/RCA”, për ditët e qëndrimit në këtë operacion, veç pagës mujore marrin, për vështirësi shërbimi, edhe një shpërblim ditor, në masën, që do të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 4
Shpenzimet për pjesëmarrjen në operacionin “EUFOR Tchad/RCA”, të kompanisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, mbështetur edhe në marrëveshjet ndërkombëtare, të lidhura për këtë qëllim.
Neni 5
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA