Kryeministri Berisha: Të përshpejtohet reforma në komunikimet elektronike
Kryeministri Berisha organizoi sot një takim për përshpejtimin e reformës në komunikimet elektronike. Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha kërkoi përshpejtimin e reformës në këtë sektor jetik për zhvillimin e ekonomisë, duke liberalizuar tregun, dhe rrjedhimisht ulur çmimet e larta të shërbimeve të telekomunikacionit për popullsinë.
Kryeministri i kërkoi Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të hapë garën për përzgjedhjen e operatorit GSM që do të ofrojë shërbimin më cilësor dhe më të lirë për të gjithë punonjësit e administratës publike të vendit.
Gjithashtu Kryeministri Berisha e vuri theksin në përshpejtimin e punës për futjen e teknologjive të reja, si WiMax etj.
Në këtë takim merrnin pjesë Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, z. Genc Ruli, Ministri i Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve, z. Sokol Olldashi, Drejtori i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, z. Ilir Shehu, Drejtori i Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, z. Etion Kapedani, Drejtoresha e Politikave të Postë-Telekomunikacionit në MPTT, zj.Alketa Mukavelati, si dhe këshilltari i Kryeministrit për Shoqërinë e Informacionit, z.Pjerin Marku.