E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI: Do të shemben 180 banesa pa leje



Kanë nisur tashmë të shfaqen edhe përplasjet mes zaptuesve të trojeve me pronarë legjitimë dhe atyre që disponojnë vendime gjyqësore për pronat e tyre. Kështu, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës i ka njohur pronën mbi një sipërfaqe toke një qytetari, pas afro 3 vitesh seanca të pandërprera. Aktualisht mbi këtë sipërfaqe janë ndërtuar 180 banesa dhe vila nga 1 deri 4 kate. Pronari i tokës momentalisht nuk ka arritur t’u marrë paratë banorëve të cilët janë vendosur në tokën e tij, ka kërkuar në gjyq prishjen e banesave dhe lënien lirë të trojeve të tija. Gjykata, pasi i ka dhënë atij të drejtë, ka ngarkuar për zbatimin e vendimit zyrën e Përmbarimit në Durrës. Kjo e fundit ka njoftuar banorët se pas disa ditësh fadromat do të jenë në bllokun e tyre të banimit, çka ka shkaktuar tensione te ata. Banorët kanë deklaruar se janë në proces legalizimi, gjë që nuk ua lehtëson aspak situatën, pasi ligji në zona urbane është fleksibël për të tilla raste. Nga ana e saj, zyra e ALUIZNI-t propozon një zgjidhje që mendohet se do t’i kënaqte të dyja palët, si pronarin e ligjshëm, ashtu edhe banorët, që kanë ndërtuar në atë sipërfaqe toke.

Si ka nisur zaptim i trojeve

Fillimi i viteve ’90, ka sjellë një numër të madh banorësh nga zona të ndryshme të Shqipërisë, që u vendosën në Durrës për të ndërtuar një jetë tjetër, më komode. Kështu, 180 prej tyre zgjodhën një bllok në zonën e Spitallës dhe u vendosën rrëzë një kodre, ngjitur me varrezat e reja. Ata zaptuan një sipërfaqe toke prej 9 mijë m2 dhe ndërtuan vila moderne. Në këtë kohë përpara tyre u shfaq pronari i tokës, me dokumentet e pronësisë në dorë dhe meqenëse ata kishin ndërtuar objekte të kushtueshme banimi, ky i fundit u kërkoi paratë për vlerën e trojeve dhe gjithçka mbyllej mes tyre. Por, banorët, pasi paguan një numër të pakët këstesh me vlerën 3 mijë lekë/m2, nuk u treguan korrektë dhe e ndërprenë pagesën. Ata menduan se duke aplikuar për legalizimin e banesave do t’u shpëtonin detyrimeve ndaj pronarit. Ky i fundit e hodhi çështjen në gjyq dhe fitoi. Pronari i tokës ka deklaruar përpara togave të zeza se është në gjendje që t’u kthejë banorëve lekët që ata i patën dhënë në fillim në këmbim të marrjes së tokës. Tashmë për këtë çështje do të vendosë Përmbarimi, i cili ka në dorë vendimin e gjykatës për rikthimin e tokës pronarit të ligjshëm.

Reagimi i ALUIZNI-t

Andi Lila, kreu i ALUIZNI-t në Durrës, deklaroi për “standard”: “E njoh mirë këtë problem, pronari i tokës është në të drejtën legjitime të tij, por meqenëse ky është një problem i fortë social, mendoj se palët kanë edhe një mundësi të fundit, e cila mendoj se do t’i kënaqë ato”. Lila sugjeron se çështja mund të kthehet edhe një herë në gjykatë për interpretim ligjor, më pas banesat të vazhdojnë procesin e legalizimit, ndërsa pronari i tokës të kompensohet me para në dorë, por jo më me 3 mijë lekë/m2, por me 7800 lekë m2, pasi vlera e tokës që nga ajo kohë është rritur më shumë se dyfish. Ai tha se “palët duhet të ulen dhe të bisedojnë edhe një herë mbi këtë propozim, ndryshe pastaj fjalën do ta thonë fadromat e shtetit mbi 180 objektet pa leje”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›