E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; Dhoma e Tregtisë përplaset me bashkinë



Prej disa javësh, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës ka nisur një institucional, lidhur me kërkesën e disa bizneseve për heqjen e referencave doganore nga dogana më e madhe detare ajo e Durrësit. Rreth 400 biznese të mëdha importuese në një kërkesë drejtuar Ministrisë së Ekonomisë i kërkojnë heqjen e çmimeve të referencave në dogana. Çmimi i referencës shkakton rritje 30-40 për qind të TVSH-së për mallin e importuar dhe në këtë mes shteti paguan vetëm 20% TVSH, ndërsa 20-përqindëshi tjetër nuk i njihet biznesit. Për këtë çështje me dhjetëra biznese importuese kanë ngritur edhe padi në gjykatë. Deri në përfundim të gjyqeve, paratë qëndrojnë të bllokuara, për një kohë të gjatë. Ky ngërç shpjegon edhe rritjen artificiale të çmimeve në tregjet vendase të të gjithë atyre mallrave që kanë origjinë importin dhe zënë më shumë se 70% në tregun e brendshëm në vendin tonë. Problemi që ngrihet nga biznesmenët në peticionin e tyre, duket se ka sjellë edhe përplasje institucionale mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit dhe Doganës. Kryetari i DHTI Durrës, Andrea Xhavara, shpreh shqetësimin e bizneseve importuese, për sa i përket çmimit të referencës, të cilin dikasteri i Financës duhet ta rishikojë. “Nga ankesat e ngritura dhe problemet e shfaqura nga një numër i madh biznesesh për mallrat apo makineritë e importuara, na rezulton se nga përdorimi i çmimeve të referencës në dogana, biznesmenët detyrohen të paguajnë vlerën e TVSH-së në një vlerë 30 për qind më e lartë se faturat e paraqitura”. Kur bizneset kërkojnë që këto fatura të verifikohen me shtetet dhe doganat nga të cilat kanë kaluar ky kontroll nuk bëhet, por doganat mbështeten në një informacion referencash të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme. “Rezultati është negativ për biznesin, sepse gjithmonë mbetet që biznesi të kreditojë shtetin me të ardhura që shkojnë deri në 20 milionë lekë çdo vit në TVSH, të cilat nuk njihen nga Tatim-Taksat”, - tha Xhavara. Sipas tij, nuk është i vetëm ky problem, sepse “çmimet e referencave mes të tjerave lënë vend edhe për korrupsion dhe klientelizëm, pasi për të njëjtin mall ka shpeshherë vlefta të ndryshme”. Pavarësisht se çmimet e referencave lënë shteg për abuzime në doganë, biznesmenët shprehen se kanë shpresën tek qeveria. Specialistët e doganës shprehen: “Ligji për doganat në nenin 34 përcakton që TVSH-ja paguhet sipas vlerës doganore të mallit, fatura, sigurimi dhe transporti. Mallit të importit i rritet kostoja dhe ai që e paguan në kurriz është konsumatori. “E gjithë kjo gjendje joreale ka edhe një zgjidhje, heqjen përfundimisht të çmimit të referencave”. “Nëpërmjet këtyre ligjeve, dogana mbush të ardhurat e saj, por duke rënduar importuesit me referenca që për të njëjtin mall ndryshojnë sipas klientit që paraqitet”, - tha Xhavara. Me miliona lekë janë të bllokuara në gjykatë dhe bizneset presin të mbarojnë çështjet në gjykatë për të përfituar paratë që kanë paguar duke ua marrë dogana nga referencat. Kreu i biznesit durrsak i bën thirrje ministrit të Financave, z. Bode, të rishikohet dhe mundësohet heqja e çmimit të referencës në dogana, për të krijuar një lehtësi të madhe në ecurinë e mjaft bizneseve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›