E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratia, vazhdojnë kërkimet për mikun e Ilir Pajës



I kishin ngelur edhe pak vite burg, hetime brenda burgut për dhënie ndihme nga efektivë policie. Dyshimi, një person e priste Tomën jashtë burgut

Itali

I pamundur ka qenë edhe dje arrestimi i të arratisurit Taulant Toma, miku i Ilir Pajës, i arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Terni, edhe një ditë pas ikjes së tij në mënyrë misterioze nga vendi ku vuante dënimin. Policia italiane vazhdon operacionin për arrestimin e shqiptarit 25-vjeçar, i cili vuante dënimin për një grabitje me armë dhe arriti të largohej nga burg të premten në mesditë. I riu kishte arritur të arratisej në kohën kur në ambientet e jashtme të burgut po luhej futboll. Sipas policisë, Toma kishte shfrytëzuar më së miri një vrimë tek rrjeta rrethuese e minifushës së futbollit dhe ka mundur të largohet më pas përmes murit rrethues, të cilin e ka kapërcyer. Arratisja e shqiptarit ka vënë në alarm autoritetet italiane. Toma njihet si pjesëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Ilir Paja, që italianët me të drejtë e kanë cilësuar si “UFO” shqiptar, pasi mundi të arratisej dy herë nga burgjet e sigurisë së lartë në vendin përtej Adriatikut dhe aktualisht gjendet i arrestuar në Shqipëri. Operacioni për kapjen e të arratisurit deri në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës ka rezultuar i pasuksesshëm, ndërsa përforcohet hipoteza se ai mund të jetë larguar nga zona e Ternit. E gjithë kjo bën të mendojë policinë se Toma kishte mirorganizuar planin e arratisjes dhe se një bashkëpunëtor i tij mund ta ketë pritur jashtë burgut dhe ta ketë ndihmuar të largohej, duke u humbur gjurmëve të policisë. Mediat italiane bëjnë të ditur se një numër i madh policësh është vënë në kërkim të të arratisurit dhe se operacionet për arrestimin e tij po kryhen në gjithë Italinë. Fotoja e Taulant Tomës, i cili njihet si pjesëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Ilir Paja, është shpërndarë në të gjitha komisariatet e vendit fqinj. Taulant Toma ishte arrestuar pas një grabitjeje me armë në San Frutuozo në periferi të Xhenovas. Ai duhej të përfundonte dënimin më 19 maj 2014. Për motive sigurie Toma ishte transferuar nga burgu i Kapanës, në burgun e Ternit në nëntor të vitit të kaluar. Arratisja e shqiptarit nga burgu i sigurisë së lartë ka hapur polemika të forta, për mënyrën se si Taulant Toma ka mundur të “çajë” rrethimin, në një kohë kur në gatishmëri qëndrojnë dhjetëra forca policie. Ekspertët që po hetojnë për ngjarjen, po skicojnë të gjitha detajet e arratisjes së të dënuarit. Nuk përjashtohen nga hetimet as efektivë të burgut, të cilët mund të kenë ndihmuar të riun të realizonte arratinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›