AMA paralajmëron qytetarët për video të manipuluara me IA: Synojnë vjedhjen e të dhënave bankare

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive paralajmëroi sot qytetarët për një skemë mashtrimi në Facebook, ku përdoret pa autorizim imazhi dhe zëri i mjekut Flamur Topi, për të reklamuar produkte farmaceutike dhe për të marrë të dhënat bankare të qytetarëve.
Në një publikim në rrjetet sociale, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, bën të ditur se autoriteti është vënë në dijeni nga familjarët e mjekut për qarkullimin e videove të manipuluara, të cilat përdorin fragmente nga emisione të mëparshme të tij, “Trupi dhe shëndeti”, të transmetuara në RTSH.
Sipas denoncimit, persona të paidentifikuar kanë përdorur inteligjencën artificiale për të manipuluar zërin e mjekut dhe për t’i atribuuar deklarata që ai nuk i ka bërë, duke krijuar përshtypjen se rekomandon produkte të caktuara farmaceutike.
AMA ka verifikuar më tej rastin e raportuar dhe, sipas konfirmimit të marrë nga sistemi bankar, bëhet fjalë për një skemë mashtrimi që synon marrjen e të dhënave bankare të qytetarëve.
Autoriteti paralajmëron se këto materiale shfrytëzojnë besimin e publikut, veçanërisht të personave të moshuar, dhe mund të shpërndahen edhe përmes reklamave të sponsorizuara në rrjetet sociale.
Në këtë kuadër, AMA u bën thirrje qytetarëve të verifikojnë videot dhe reklamat që premtojnë shërimin e sëmundjeve, edhe kur në to shfaqen figura të njohura, si dhe të mos blejnë produkte shëndetësore pa u këshilluar me mjekun.
Qytetarët këshillohen të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të dyshimta dhe të raportojnë videot e reklamat me përmbajtje të manipuluar në platformat ku publikohen.
/e.i/j.p/r.e/