E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, këpucaria drejt zhdukjes si zanat/Vetëm katër punishte mbijetojnë, të rinjtë nuk tregojnë interes

Në Kukës, vit pas viti, po zbehet interesi për zanatet tradicionale, mes tyre edhe këpucaria. Muharrem Nerguti, një nga këpucarët më të vjetër në qytet, thotë se puna në këtë sektor ka rënë.

“Kënaqësia ime më e madhe është që kaloj ditën pastaj dhe të ardhurat”, u shpreh Nerguti.

Sipas Nergutit, shqetësues mbetet fakti se asnjë i ri nuk është paraqitur për të mësuar këtë profesion.

“Po interes për këtë punë nuk ka. Të rinjtë nuk kanë interes fare. Unë i ftoj të vijnë, t’i mësojmë pa pagesë, le të mësohen. Ka nevojë komuniteti, kanë nevojë njerëzit”, tha ai

Aktualisht, në Kukës kanë mbetur vetëm katër punishte që merren me riparimin e këpucëve, çka tregon tkurrjen e këtij zanati.

“Po katër ustallarë kemi mbetur nga 28 që kemi qenë katër kemi ngelur”, tha ustai i këpucëve.

Ruajtja e zanateve tradicionale mbetet një sfidë, pasi mungesa e brezit të ri rrezikon vazhdimësinë e tyre. Përvoja e mjeshtërve si Muharrem Nerguti përfaqëson një vlerë që duhet përcjellë te brezat e ardhshëm.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›