INSTAT: 1375 aksidente rrugore në 2025-ën, mosha 25-34 vjeç regjistroi numrin më të lartë

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Shqipëria regjistroi 1375 aksidente rrugore gjatë vitit 2025, ndërsa numri i personave të vrarë në aksidente u rrit me 14,3% krahasuar me një vit më parë.
Sipas INSTAT, në 87,9% të rasteve aksidentet kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Në raportin “Statistika mbi sigurinë rrugore 2025”, të dhënat tregojnë se numri i aksidenteve ra me 17,5% krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 1 666 aksidente. Megjithatë, treguesi i vdekshmërisë u përkeqësua, duke arritur në 15 të vrarë për 100 aksidente, nga 11 në vitin 2024.
Nga aksidentet e regjistruara gjatë vitit të kaluar, 1208 u shkaktuan nga sjellja e drejtuesve të mjeteve, ndërsa 167 nga sjellja e këmbësorëve.
Sipas eksperiencës në drejtimin e mjetit, numrin më të lartë të aksidenteve e kanë shkaktuar drejtuesit me mbi nëntë vite leje drejtimi, me 677 raste ose 49,2% të totalit. Pas tyre renditen drejtuesit me 0–3 vite eksperiencë, me 224 aksidente ose 16,3%.
Për sa i përket moshës, grupi 25–34 vjeç regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve, me 331 raste, ose 24,1% të totalit. Në këtë grupmoshë, 70% e personave të aksidentuar ishin meshkuj dhe 30% femra. Në përgjithësi, gjatë tre viteve të fundit, meshkujt kanë përbërë 68,7% të personave të vrarë dhe të plagosur në aksidente rrugore.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se dita e hënë ishte dita me numrin më të lartë të aksidenteve në vitin 2025, me 231 raste ose 16,8% të totalit. Ndërsa intervali kohor 08:00–12:00 shënoi 298 aksidente, që përbëjnë 21,7% të rasteve.
Për sa i përket infrastrukturës, 28,3% e aksidenteve u regjistruan në rrugët interurbane dytësore dhe 23,2% në rrugët urbane dytësore. Shumica e aksidenteve ndodhën në mot të thatë, me 88,1% të totalit, ndërsa 64,8% u regjistruan gjatë ditës.
Ndërkohë, raportohet pozitiv treguesi që lidhet me raportin e aksidenteve për numrin e mjeteve në qarkullim. Në vitin 2025, ky tregues zbriti në 1,3 aksidente për 1.000 mjete, nga 1,7 në vitin 2024.
Sipas raportit, masat administrative për kundërvajtjet rrugore u rritën me 2,2% krahasuar me vitin 2024. Peshën më të madhe e zunë qëndrimet dhe pushimet e ndaluara, me 34%, mosrespektimi i normave të shpejtësisë, me 18,9%, dhe mosrespektimi i sinjalizimit rrugor, me 14,3%.
/e.xh/j.p/r.e/ /a.g/