E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristo Bame, 30 vite përkushtim ndaj bletëve/Me 150 koshere në Libohovë, klima dhe subvencionet mbeten sfida për bletarinë

Mbi tri dekada përkushtim, punë dhe dashuri për bletët. Kristo Bame nga Libohova e ka kthyer bletarinë në një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Me rreth 150 koshere, çdo ditë nis herët, duke kontrolluar gjendjen e kolonive dhe duke ndjekur nga afër zhvillimin e tyre. Një punë që kërkon jo vetëm durim, por edhe njohuri të vazhdueshme dhe kujdes të përditshëm.

“Kam punuar me pasion për këtë punë prej 31 vitesh dhe, kur e do punën që bën, është e vështirë të ndahesh prej saj. Profesionin e kam mësuar vetë, me shumë përkushtim. Nuk më ka ndihmuar askush, përveçse kam lexuar ndonjë literaturë apo material informues. Tani ka informacion të gjerë për këdo, ndaj është shumë më e lehtë të kultivosh bletë”, u shpreh Kristo Bame, bletërritës.

Por, pavarësisht përvojës shumëvjeçare, sfidat nuk mungojnë. Ndryshimet klimatike janë kthyer në një shqetësim edhe për këtë sektor. Luhatjet e temperaturave dhe ndryshimet e kushteve atmosferike ndikojnë në lulëzimin e bimëve, në mbledhjen e nektarit dhe, për rrjedhojë, edhe në prodhimin e mjaltit.

“Flasim për kushtet klimatike. Më parë, bleta nuk kishte shumë sëmundje e probleme të tjera të kësaj natyre. Ndërsa ndryshimi i klimës dhe ngrohja globale kanë një efekt të drejtpërdrejtë te bletët, pasi ato janë shumë të lidhura me kushtet klimatike”, tha ai.

Në bletarinë e Kristos, prodhimi i mjaltit lidhet ngushtë edhe me pasurinë e florës së zonës. Mjalti i rigonit, i sherbelës dhe i mentës janë disa prej varieteteve që ai vjel, secili me aromën dhe veçoritë e veta. Një prodhim që mbart në vetvete jo vetëm karakteristikat e bimëve, por edhe punën e përditshme të bletëve dhe përkushtimin e bletërritësit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›