E Diel, 1 Nëntor 2026

Realizohet për herë të parë procedura Tevar te pacientja 68-vjeçare në Spitalin Memorial Fier

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Për herë të parë në Spitalin Memorial të Fierit është realizuar me sukses procedura Tevar për trajtimin endovaskular akut të aortës tip B.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e cilëson ndërhyrjen si histori suksesi dhe një tjetër hap për trajtimin e patologjive komplekse të aortës në sistemin publik shëndetësor.

“Pacientja 68-vjeçare është në gjendje të stabilizuar, pa komplikacione dhe me ecuri të mirë klinike. Një hap i rëndësishëm për trajtimin e patologjive komplekse të aortës në sistemin publik shëndetësor”, shkruan Rama.

Tevar është një procedurë minimale invazive për trajtimin e patologjive të aortës torakale, e cila realizohet përmes vendosjes së një stent-graft-i nga brenda aortës, duke përjashtuar nga qarkullimi pjesën e dëmtuar të saj.

Ndërhyrja e realizuar në Spitalin Memorial Fier shënon një zhvillim të rëndësishëm në ofrimin e trajtimeve të avancuara për patologjitë komplekse të aortës brenda sistemit publik shëndetësor.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›