AMP arreston një të kërkuar për korrupsion dhe vjedhje nafte në anijen e sekuestruar

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar shtetasin D. M., i shpallur në kërkim për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Korrupsion aktiv i personit që ushtron funksione publike”.
AMP njofton se “në vijim të hetimeve për procedimin penal të datës 8 shkurt 2025, ku u arrestua në flagrancë punonjësi i policisë A. M., AMP (Rajoni Durrës – Kavajë), në bashkëpunim me DVP Durrës, bëri të mundur kapjen e D. M.”
Sipas AMP, më 27 janar 2025, D. M., në bashkëpunim me shtetasin J. K., i ka dhënë rryshfet prej 10.000 euro punonjësit të policisë A. M., i cili kishte për detyrë ruajtjen dhe sigurimin e anijes “AYA ZANOYBYA”, e sekuestruar për kontrabandë nafte. Pas dhënies së shumës korruptive, ata kanë vjedhur një sasi nafte nga depozitat e anijes.
AMP riafirmon përkushtimin për zbatimin e ligjit dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi nga punonjësit e strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090 ose duke dërguar email në adresën ankesa@amp.gov.al.
/a.f/r.e/