E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Operacion antidrogë në Tiranë, 27 të arrestuar

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion antidrogë, ku u arrestuan 27 persona dhe u shpallën në kërkim 7 të tjerë.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, në një konferencë për shtyp dha detaje mbi operacionin antidrogë “Blic 24”.

Sipas tij, “në kuadër të këtij operacioni është bërë ekzekutimi i masave të sigurisë personale “Arrest në burg” urdhëruar nga Prokuroria e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka nxjerrë 34 masa sigurie “Arrest me burg”, si të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, për një grup personash të cilët merreshin me aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike kokainë, heroinë, ekstazi dhe cannabis sativa, në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës”.

“Hetimet, kanë zgjatur prej fillimit të vitit 2025 ku janë aplikuar metoda speciale të hetimit dhe është dokumentuar veprimtaria kriminale e shpërndarjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës”, tha Alushi.

Ai theksoi se “gjatë operacionit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg” për 27 shtetas, ndërsa për 7 të tjerë vijon puna për kapjen e tyre pasi gjatë operacionit nuk u gjetën në banesë”.

“Gjatë këtij procedimi, në faza të ndryshme janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 3,4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. 150 doza lëndë e dyshuar narkotike heroinë. 500 doza ekstazi 12 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa. 26 telefona celularë të markave të ndryshme. 10 automjete të markave të ndryshme.

Nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas shpërndanin lëndën narkotike në lagje, lokale e në afërsi të shkollave në qytetin e Tiranës”, u shpreh Alushi.

Sipas tij, “këta shtetas vepronin individualisht dhe të shpërndarë në të gjithë territorin Tiranës. Gjatë operacionit me metoda speciale të hetimit u bë e mundur sigurimi i provave, dhe dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas.

Nga ana jonë kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të ”Prodhim dhe shitje narkotikësh”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 283/2 të Kodi Penal. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë angazhuar maksimalisht për ta parandaluar dhe goditur këtë veprimtari kriminale që cenon drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e të rinjëve”, theksoi kreu i Policisë së Tiranës.

Alushi po ashtu bëri dhe një rezyme të punës së bluve të Tiranë në luftë ndaj armëmbajtjes pa leje.

“Njëkohësisht strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë fokusuar në përmbushjen e prioritetit kryesor atë të rritjes së parametrave të rendin e sigurinë dhe në këtë kuadër përgjatë tri javëve të muajit shkurt janë sekuestruar 8 armë zjarri (7 pistoleta dhe një automatik model 56), 6 armë gjahu dhe 3 armë sportive. Gjithashtu prioritare në punën e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është ndjekja në dinamikë të problematikave të adresuara dhe konflikteve me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të tyre.

Ftoj qytetarët që të mbështesin akoma më shumë Policinë, të denoncojnë çdo paligjshmëri duke garantuar për reagim të menjëhershëm e profesional. Siguria është kontribut i të gjithëve, na besoni dhe bashkëpunoni akoma më shumë me Policinë për të bërë më të mirën duke krijuar një ambient sa më të sigurt”, përfundoi deklaratën e tij Alushi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›