ANALIZË – Armëpushim i brishtë Izrael–Hezbollah mes kundërshtive politike dhe ushtarake

TE AVIV, 16 prill /ATSH/- Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot se liderët izraelitë dhe libanezë kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor, që do të nisë brenda pak orësh, sipas BBC.
Menjëherë pas kësaj, Këshilli i Sigurisë së Izraelit zhvilloi një mbledhje urgjente të thirrur nga kryeministri Benjamin Netanyahu.
Sipas disa raportimeve, pjesëmarrësit janë njoftuar vetëm pesë minuta para fillimit të takimit. Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga pala izraelite për një armëpushim.
Ndërkohë, burime ushtarake izraelite deklarojnë se nuk kanë ndërmend të tërheqin trupat e tyre nga jugu i Libanit – gjatë armëpushimit të mundshëm 10-ditor.
Kjo tregon një nga ndërlikimet kryesore që mund të shfaqen në zhvillimet e ardhshme.
Hezbollahu kërkon ndërprerje të plotë të sulmeve izraelite
Hezbollahu ka kërkuar ndërprerje të plotë të sulmeve izraelite në të gjithë territorin libanez dhe lëvizjes së lirë të forcave izraelite.
Grupi gjithashtu kërkon “kthimin në situatën e para 2 marsit”, data kur Hezbollahu lëshoi raketa dhe dronë drejt Izraelit në përgjigje të vrasjes së një figure të lartë iraniane, ndërsa Izraeli reagoi me sulme në disa zona.
Në deklaratën e tij theksohet se prania e vazhdueshme ushtarake izraelite në territorin libanez, i jep Libanit dhe popullit të tij të drejtën e rezistencës.
Korrespondentët e Lindjes së Mesme raportuan se mediet izraelite sugjerojnë se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicionet aktuale në Liban. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar izraelit për armëpushimin e njoftuar nga Donald Trump.
Vijon konflikti Izrael–Hezbollah pavarësisht marrëveshjeve të mëparshme SHBA–Iran
Më herët, presidenti Donald Trump njoftoi se është arritur një armëpushim midis Izraelit dhe Libanit, i cili sipas tij pritet të hyjë në fuqi brenda orëve të ardhshme.
Megjithatë, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupi i mbështetur nga Irani, kanë vazhduar edhe pas marrëveshjes së armëpushimit SHBA–Iran të 8 prillit, përfshirë edhe ditën e sotme.
Konflikti i fundit mes palëve nisi në mars, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit pas vrasjes së një figure të lartë iraniane. Izraeli u përgjigj me një seri sulmesh ajrore në disa zona, përfshirë Bejrutin.
Sulmet kanë vijuar edhe pas paqartësive nëse Libani përfshihej në marrëveshjen SHBA–Iran. Ndërsa Izraeli ka deklaruar se territori libanez nuk ishte pjesë e saj.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, numri i viktimave që nga 2 marsi ka arritur në 2 196.
Sinjale se Hezbollahu mund të respektojë armëpushimin
Një armëpushim 10-ditor që pritet të hyjë në fuqi më vonë gjatë natës mund të sjellë lehtësim të përkohshëm për Libanin, pas më shumë se gjashtë javësh përshkallëzimi të konfliktit.
Sinjalet e para nga Hezbollahu tregojnë se grupi mund të jetë i gatshëm ta respektojë marrëveshjen, me kusht që Izraeli të ndalojë të gjitha format e armiqësive.
Megjithatë, situata në terren mbetet e ndërlikuar. Forcat izraelite vijojnë të jenë të pranishme në jug të Libanit, ku sipas autoriteteve synohet krijimi i një zone sigurie përgjatë kufirit.
Sot, ushtria izraelite shkatërroi urën e fundit që lidh jugun me pjesën tjetër të vendit, duke izoluar më tej rajonin dhe duke rritur shqetësimet për një prani afatgjatë ushtarake.
Në thelb, armëpushimi mund të ndalë përkohësisht dhunën, por nuk zgjidh çështjen kryesore politike: të ardhmen e armatimit të Hezbollahut.
Autoritetet libaneze kanë theksuar se çarmatimi i Hezbollahut nuk mund të imponohet me forcë dhe kërkon negociata, ndërsa grupi e ka refuzuar vazhdimisht këtë ide.
Hezbollahu: “Çfarë do të ndodhë më pas është vendimtare”
Hezbollahu nuk është pjesë e shtetit libanez, dhe veprimet e tij në vijim mund të jenë vendimtare për zhvillimet e ardhshme.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet në jug të Libanit, duke thënë se ka goditur pozicione të Hezbollahut. Nga ana tjetër, janë raportuar edhe lëshime raketash nga Libani drejt veriut të Izraelit, ku janë aktivizuar sirenat, por pa raportime për viktima.
Autoritetet libaneze thonë se edhe sot ka pasur viktima nga sulmet ajrore izraelite.
Situata mbetet e paqartë, ndërsa pritet të shihet si do të zhvillohet në orët dhe ditët në vijim. //a.i/