KOMENT – Trump shpall armëpushimin Izrael-Liban si sukses diplomatik

UASHINGTON, 16 prill /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump po e paraqet si “sukses diplomatik” – marrëveshjen e armëpushimit mes Libanit dhe Izraelit, si dhe takimin e planifikuar në Shtëpinë e Bardhë mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidentit libanez, Joseph Aoun, sipas BBC.
Trump, i cili shpesh e ka promovuar veten si ndërmjetës të paqes, pretendon se kjo marrëveshje përfaqëson konfliktin e 10-të që ai ka ndihmuar të përfundojë – një deklaratë që kundërshtohet nga shumë analistë dhe burime ndërkombëtare.
Megjithatë, në terren mbetet e paqartë se sa i qëndrueshëm është realisht armëpushimi.
Hezbollahu, ndonëse i rrënjosur thellë në strukturën politike dhe sociale të Libanit, nuk është pjesë e organit zyrtar të sigurisë së shtetit libanez.
Pavarësisht sinjaleve të kujdesshme për respektimin e marrëveshjes, qëndrueshmëria e saj varet edhe nga ndalimi i operacioneve ushtarake nga ana e Izraelit.
Edhe pse Trump ka ndikim të konsiderueshëm mbi Izraelin, nuk ka garanci se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të ndalin veprimet ushtarake nëse i konsiderojnë ato të nevojshme për sigurinë e tyre.
Ky zhvillim i jep presidentit amerikan një fitore të rëndësishme imazhi – në një moment kur negociatat më të gjera me Iranin mbeten të pasigurta.
Sipas analistëve, armëpushimi në Liban lidhet ngushtë me përpjekjet më të gjera diplomatike me Teheranin.
Armëpushimi i brishtë SHBA–Iran po rrezikohej nga përshkallëzimi i luftimeve në Liban, duke e bërë të domosdoshme për Uashingtonin – arritjen e një marrëveshjeje stabilizuese në rajon – përpara se të dëmtoheshin negociatat më të gjera.
Ndërkohë, afati i pauzës së rënë dakord në tensionet SHBA–Iran po i afrohet fundit, ndërsa Trump shprehet optimist për një marrëveshje të mundshme, pa dhënë prova konkrete për këtë vlerësim.
Në këtë kontekst, armëpushimi në Liban shërben si një zhvillim pozitiv për administratën amerikane dhe heq një pengesë të rëndësishme në rrugën e negociatave më të gjera me Iranin.
Armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot pasdite se liderët izraelitë dhe libanezë kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor, që do të nisë brenda pak orësh, sipas BBC.
Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump deklaroi se armëpushimi do të fillojë në orën 17:00 me orën e SHBA-së Lindore (22:00).
Gjithashtu, ai u shpreh se “të dyja palët duan paqe” dhe shprehu besimin se një marrëveshje e qëndrueshme mund të arrihej shpejt.
Në një postim pasues, Trump njoftoi se ka ftuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin e Libanit, Joseph Aoun, në Shtëpinë e Bardhë për bisedime të mëtejshme mbi situatën e sigurisë në rajon.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse palët kanë pranuar zyrtarisht ftesën për takim në Uashington.
Trump bëri të ditur se ka zhvilluar biseda të drejtpërdrejta me liderët e Libanit dhe Izraelit, por në deklaratën e tij nuk përmendet Hezbollahu, grupi i mbështetur nga Irani, i cili ka qenë i përfshirë në përplasje të vazhdueshme me Izraelin.
Sipas presidentit amerikan, marrëveshja për armëpushim synon të krijojë hapësirë për negociata drejt një paqeje afatgjatë.
Ai shtoi se ka angazhuar zëvendëspresidentin dhe sekretarin amerikan të shtetit për të bashkëpunuar me të dy vendet në këtë drejtim.
Ndërkohë, kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, e mirëpriti njoftimin për armëpushim të përkohshëm, duke theksuar se kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Libanit që prej fillimit të konfliktit.
Ai u shpreh se shpreson që marrëveshja të mundësojë kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre dhe vlerësoi përpjekjet ndërkombëtare për uljen e tensioneve. //a.i/