E Hënë, 2 Nëntor 2026

ANALIZË – CNN: Zelensky përballet me zgjedhjen mes një marrëveshjeje të keqe dhe asnjë marrëveshjeje

UASHINGTON,  28 nëntor /ATSH/ –  Presidenti amerikan Donald Trump është tërhequr nga afati i tij i “Ditës së Falënderimeve” për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, pavarësisht dëshirës për t’u paraqitur si nismëtari i paqe, sipas CNN.

Ky është një sinjal i rëndësishëm se faza e radhës e nismës së tij,  tashmë një takim në Moskë mes të dërguarit të tij, Steve Witkoff, dhe Kremlinit, ka gjasa të mos prodhojë një marrëveshje të menjëhershme për t’i dhënë fund pushtimit rus.

Hendekët mes Kievit dhe Moskës mbeten tepër të theksuara, dhe arsyet e kokëfortësisë së tyre janë të zhytura në sakrifica, frikë dhe gjak. Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të refuzojë çdo propozim që nuk i lë nën kontroll gjithë rajonin lindor të Donetskut, një pozicion që, sipas të gjitha gjasave, s’do të ndryshojë shpejt.

Propozimi më i fundit amerikan që po i dërgohet Moskës duket se e heq nga tavolina këtë lëshim kyç të përfolur javën e kaluar, diçka që as Kievi dhe as aleatët europianë nuk e shohin si ushtarakisht apo politikisht të mençur.

Duke pasur parasysh historinë mbi një dekadë të këtij konflikti, tre ndërhyrjet ruse dhe vite të tëra diplomacie e mashtrimi, dyshimet për sinqeritetin e Moskës janë të justifikuara.

Kjo paaftësi e vazhdueshme për të kuptuar hendekun e pakapërcyeshëm mes palëve,  e përforcuar nga dy pista të ndara negociatash, është arsyeja pse përparimi duket gjithmonë pranë, por kurrë i arritshëm.

Të negociosh një marrëveshje me Kievin dhe një tjetër me Moskën, dhe pastaj të shpresosh se ato do të afrohen vetvetiu, krijon vetëm iluzionin e përparimit. Pikat e bllokimit mbeten po ato.

Pjesa më e madhe e planit të propozuar mbështetet në ide teorike për aleanca të ardhshme, financime apo kufizime ushtarake. Ashtu si në memorandumet e së kaluarës, këto elemente mund të ndryshojnë ose të zbehen pas nënshkrimit.

Nëse vjen paqja, Ukraina nuk do të ketë më nevojë për një ushtri prej 600 mijë vetash, kufiri i propozuar në draft.

Edhe anëtarësimi në NATO do të bëhet më pak urgjent dhe njëherazi më i vështirë në kushte paqeje, kur vendi duhet të çmobilizojë forcat dhe të përballet me krizën ekonomike të pasluftës.

A do të rikthehet Rusia në G8?

Vështirë të besohet se udhëheqësit europianë do të shtrëngonin duart me Putinin. Kush do të financojë rindërtimin e Ukrainës? Opaçiteti i biznesit në të dyja vendet e bën këtë proces tepër kompleks.

Çështja më jetike mbetet: A do ta ndalë luftën ndonjë marrëveshje?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përballet sërish me një kompromis të tmerrshëm: të balancojë garancitë e sigurisë që ofrohen nga SHBA dhe Europa me dëmin e madh politik dhe ushtarak që do të sillte dorëzimi i Donetskut.

Edhe nëse një marrëveshje do të mbante, do të ishte një zgjedhje e hidhur. Por nëse, si herët e tjera, Moska nuk e respekton marrëveshjen, atëherë nuk ka zgjedhje fare.

Situata e menjëhershme nuk është më e mirë. Qeveria e Zelenskyt përballet me një sërë krizash të njëkohshme. Skandali i korrupsionit është rikthyer në vëmendje pasi hetuesit bastisën shtëpinë e shefit të stafit të presidentit dhe kryenegociatorit Andriy Yermak.

Ushtria ukrainase vuan nga mungesa e njerëzve. Financimi nga aleatët europianë për vitin e ardhshëm është i paqartë, edhe pse BE thotë-ja se mund të mbulojë boshllëkun. Ndërkohë, në vijën e frontit, Rusia po avancon në tre drejtime: me shpejtësi në Zaporizhia, ngadalë por me siguri në Pokrovsk të Donetskut, dhe përpara në Kupiansk në veri. Ukraina nuk mund të shuarë kaq shumë zjarre me kaq pak ushtarë.

Edhe territori i mbetur i Donetskut nën kontrollin e Kievit është i rrezikuar këtë dimër. Qendra ushtarake e Kramatorskut është nën sulme të intensifikuara me dronë, ndërsa forcat ruse janë tashmë shumë pranë. Ukraina nuk do të rimarrë territor së shpejti.

Pyetja tani për Ukrainën dhe aleatët e saj nuk është “kur do të kthehet përmbys ecuria e luftës?”, por “a mund të detyrohet Rusia të dorëzohet e para?”

Shpresa e heshtur, ndoshta e kotë, është se Ukraina mund ta shtyjë Rusinë deri në kufijtë e qëndrueshmërisë, duke e detyruar çarjen eventuale të sistemit të saj. Por është e pamundur të parashikohet çfarë ndodh brenda një shoqërie aq të mbyllur sa Rusia. Rebelimi i Wagnerit në vitin 2023 dukej i paimagjinueshëm, derisa ndodhi.

Ndërsa Ukraina ka probleme të hapura  dhe shumë të mprehta.

Lufta e Zelenskyt është e mbushur me rreziqe. Rusia është më e furnizuar dhe po avancon. Për Ukrainën, kjo është një luftë ekzistenciale – ajo nuk mund të heqë dorë thjesht sepse “u lodh”.

Megjithatë, 10 muajt e fundit të diplomacisë së ngathët dhe sinjaleve kontradiktore e kanë bërë një marrëveshje dikur të paimagjinueshme të duket më afër se kurrë.

Ideja që Ukraina t’i dorëzojë territor Rusisë në këmbim të paqes u quajt e papranueshme më herët gjatë vitit, si në Kiev, ashtu edhe në Evropë dhe gjatë administratës Biden.

Tani kjo ide gjendet në draftin e parë të planit 28-pikësh të Trump. Ajo nuk figuron në propozimin europian të rrjedhur, por mbetet në kërkesat maksimaliste të Putinit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›