BERLIN – Baerbock: Rripi i Gazës i përket palestinezëve

BERLIN, 5 shkurt /ATSH-AFP/- Rripi i Gazës i përket palestinezëve, tha sot ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pasi presidenti Donald Trump sugjeroi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të merrnin territorin e shkatërruar nga lufta.
“Popullsia civile e Gazës nuk duhet të dëbohet dhe Gaza nuk duhet të pushtohet ose ripopullohet përgjithmonë”, tha Baerbock në një deklaratë.
“Zhvendosja e detyruar e palestinezëve nga Rripi i Gazës do të ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha ajo.
“Kjo gjithashtu do të çonte në vuajtje të tjera dhe urrejtje”, tha Baerbock.
“Është e qartë se Gaza – ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor – i përket palestinezëve”, tha ajo.
“Ato përbëjnë bazën për një shtet të ardhshëm palestinez dhe zgjidhja me dy shtete mbetet opsioni i vetmi” për paqen”, tha Baerbock.
Trump e bëri propozimin e tij për të “marrë në dorë” Rripin e Gazës dje gjatë një konference për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Presidenti amerikan nuk dha detaje se si do të largonte më shumë se dy milionë palestinezë apo do të kontrollonte Gazën, por tha se do ta bënte “të pabesueshëm” territorin bregdetar të goditur nga lufta, duke hequr rrënojat dhe duke nxitur rizhvillimin ekonomik.
“Shkalla e shkatërrimit në Gazë është tronditëse dhe ne të gjithë jemi dakord që Gaza duhet të rindërtohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Baerbock.
“Për këtë qëllim, Evropa ishte e gatshme për të bërë pjesën tonë së bashku me SHBA-në dhe partnerët tanë në rajon”, tha ajo.
“Qytetarët në Gazë kanë nevojë për perspektiva politike dhe ndihmë për një të ardhme në tokën e tyre”, tha ajo.
Megjithatë, Baerbock tha se grupi militant palestinez Hamas, sulmi i të cilit më 7 tetor ndaj Izraelit shkaktoi luftën në Gazë, nuk duhet të luante më një rol në territor.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili është në një turne në rajon, kritikoi gjithashtu idenë e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza. //a.i/