ANALIZË – Skandali i korrupsionit në Ukrainë, hetimi ndaj Yermak rrezikon besueshmërinë e Zelensky

KIEV, 14 maj /ATSH/- Ish-shefi i stafit të presidentit të Ukrainës, Andrii Yermak, është përmendur nga dy institucione ukrainase kundër korrupsionit, si i dyshuar në një hetim të madh për korrupsion, duke e vënë nën vëzhgim të drejtpërdrejtë një figurë që dikur kishte ndikim të madh në planifikimin e vendit gjatë kohës së luftës, raportoi AP.
Sipas Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit, Yermak dyshohet për pjesëmarrje në një skemë të pastrimit të parave me vlerë rreth 10,5 milionë dollarë amerikanë.
Autoritetet theksuan se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk është nën hetim në këtë çështje.
Yermak dha dorëheqjen në nëntor. Ai ishte negociatori kryesor i Ukrainës në bisedimet me SHBA-në dhe u largua gjatë një skandali që përbën sfidën më të madhe për qeverinë e Zelensky që nga pushtimi rus.
Yermak mbetet një figurë politike e diskutueshme në Ukrainë. Si kreu i zyrës presidenciale, ai luajti një rol qendror në administratë, duke menaxhuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe partnerët perëndimorë, si dhe duke ndikuar në emërimet e nivelit të lartë qeveritar.
Implikimi i tij zyrtar në hetim e afron më shumë çështjen me rrethin e ngushtë të presidentit, duke shtuar presionin mbi perceptimin publik të administratës së Zelensky.
Seanca e parë gjyqësore u zhvillua këtë javë. Gjykata vendosi sot që ai të mbahet në paraburgim, me garanci në vlerën e rreth 3,2 milionë dollarë.
Roli dhe ndikimi i madh i Yermak
Yermak u njoh me Zelensky rreth 15 vite më parë, kur ai ishte avokat dhe producent televizioni, ndërsa Zelensky ishte aktor dhe komedian i njohur.
Ai mbikëqyri çështjet e jashtme në ekipin e parë presidencial të Zelensky dhe u ngrit në detyrë si shef i stafit në shkurt 2020.
Në këtë rol, ai u bë një nga figurat më të fuqishme të administratës, shpesh duke vepruar si ndërmjetës mes presidentit dhe institucioneve shtetërore.
Ai konsiderohet se ka pasur ndikim në emërimet kryesore qeveritare, përfshirë kryeministra dhe ministra.
Zelensky i besoi plotësisht Yermak dhe e shoqëronte në shumicën e vizitave zyrtare jashtë vendit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.
Kur skandali i korrupsionit u bë publik në fund të vitit 2025, Zelensky, fillimisht i rezistoi presionit publik për ta zëvendësuar atë.
Hetimi i lidhur me skandalin më të madh nën qeverisjen e Zelensky
Çështja është pjesë e një hetimi më të gjerë për korrupsion që u bë publik vitin e kaluar nga autoritetet kundër korrupsionit.
Skema prej rreth 100 milionë dollarësh për ryshfete dyshohet se përfshinte zyrtarë dhe bashkëpunëtorë pranë administratës presidenciale, të cilët u zbuluan në nëntor dhe duke çuar në largimin e Yermak nga administrata.
Hetimet pretendojnë se zyrtarë të lartë kanë ushtruar presion mbi kontraktorët për të paguar deri në 15% ryshfet në këmbim të kontratave me kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore “Energoatom”. Rasti përfshin mbi 1,000 orë përgjime telefonike.
Pas publikimit të skemës, parlamenti ukrainas miratoi shkarkimin e ministrit të Energjisë dhe atij të Drejtësisë.
Zyra presidenciale vendosi sanksione ndaj disa bashkëpunëtorëve të dyshuar, përfshirë Tymur Mindich, një partner biznesi në një kompani produksioni mediatik ku Zelensky kishte qenë bashkëpronar para presidencës. Mindich raportohet se është larguar nga vendi.
Mbetet ende për t’u përcaktuar nga prokuroria nëse fondet e dyshuara të Yermak kanë lidhje me skemën e “Energoatom”.
Rrezik për imazhin e Zelensky
Edhe pse presidenti nuk është i implikuar drejtpërdrejt, përfshirja e një bashkëpunëtori të ngushtë dhe ish-shefit të stafit përbën një goditje për besueshmërinë e tij politike.
Korrupsioni mbetet një nga pengesat kryesore në procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, një objektiv i rëndësishëm për Ukrainën dhe për mbështetjen e vazhdueshme perëndimore në luftën kundër Rusisë.
Hetimi ka përfshirë gjithashtu zyrtarë aktualë të angazhuar në negociatat e paqes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë Rustem Umerov, kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, i cili është marrë në pyetje.
Mandati presidencial i Zelensky përfundoi zyrtarisht në maj 2024, por ai vazhdon të qeverisë pa zgjedhje, duke argumentuar se ato nuk mund të mbahen gjatë pushtimit rus të një pjese të territorit të vendit.
Kritikët e tij thonë se forcimi i transparencës është thelbësor për ruajtjen e besimit të aleatëve perëndimorë, të cilët mbeten jetikë për përpjekjet e luftës dhe çdo marrëveshje të ardhshme paqeje. //a.i/