E Enjte, 5 Nëntor 2026

ANALIZË – Sunak ende në betejë, pavarësisht se laburistët e kanë fitoren pranë

LONDËR, 3 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Rishi Sunak këmbënguli se ai po  lufton ende fort për vota edhe pse një nga aleatët e tij më besnikë të kabinetit deklaroi se laburistët ka të ngjarë të fitojnë shumicën më të madhe që një parti ka arritur ndonjëherë.

Sekretari i Punës dhe Pensioneve, Mel Stride tha se është “shumë e pamundur” që sondazhet, që sugjerojnë një fitore të partisë së Keir Starmer, të jenë të gabuara.

Sunak këmbënguli se nuk ishte një “përfundim i parakohshëm” dhe Stride po “paralajmëronte se çfarë do të thoshte për njerëzit një shumicë shumë e madhe laburiste dhe e pakontrolluar”.

Starmer pretendon se konservatorët po flasin për perspektivën e një rrëshqitjeje në mënyrë që të inkurajonin votuesit e mundshëm laburistë të mendonin se mund të qëndronin në shtëpi.

Stride, i cili ndihmoi në drejtimin e fushatës së Sunak për udhëheqjen konservatore dhe ka bërë paraqitje të rregullta në TV dhe radio gjatë fushatës zgjedhore si zëdhënës i konservatorëve, u duk i dorëhequr pas një disfate të rëndë.

Ai tha për programin “Sot” të BBC Radio 4 se “unë kam pranuar se ku janë sondazhet në këtë moment – dhe duket shumë e pamundur që ato të jenë shumë, shumë të gabuara, sepse ata kanë qenë vazhdimisht në të njëjtin vend për disa kohë – prandaj ne kemi shumë gjasa që nesër të jemi në një situatë ku të kemi shumicën më të madhe që ka arritur ndonjëherë ndonjë parti”.

Sondazhet e synimit të votuesve kanë sugjeruar një epërsi të laburistëve prej rreth 20 pikësh, ndërsa studimet masive të regresionit në shumë nivele dhe poststratifikimit (MRP), të cilat parashikojnë rezultatet e nivelit të elektoratit, kanë treguar vazhdimisht një rrëshqitje të laburistëve.

Stride i tha GB News se “nëse shikoni sondazhet, është shumë e qartë se laburistët në këtë fazë po shkojnë drejt një rrëshqitjeje të jashtëzakonshme në një shkallë që ndoshta nuk është parë kurrë më parë në këtë vend”.

Por, ai tha se nëse rreth 130 000 njerëz në rreth 100 vende margjinale, të cilët mund të mendojnë të votojnë për reformistët ose liberal-demokratët, do t’i japin votën e tyre konservatorëve, kjo do të ndihmonte t’i jepte parlamentit një opozitë më të fortë.

“Jam vërtet i shqetësuar për një Parti Laburiste të fortë në pushtet dhe kjo me të vërtetë duhet të kontrollohet dhe njerëzit do të pendohen nëse nuk e kemi këtë, mendoj unë”, tha Stride.

Duke folur për “This Morning”, Sunak tha se “unë po luftoj fort për çdo votë”.

“Ne sapo pamë disa analiza që treguan se vetëm 130 000 njerëz mund të bëjnë ndryshimin në këto zgjedhje. Pra, të gjithë ata që shikojnë dhe që mendojnë se ky është një përfundim i paramenduar, nuk është kështu”, shtoi ai.

Sunak dhe Starmer janë të angazhuar në ditën e tyre të fundit të fushatës përpara votimit të së enjtes.

Ish-kryeministri Boris Johnson bëri një paraqitje surprizë në një tubim konservator, në një përpjekje për t’i dhënë një shtysë të vonë fushatës konservatore.

Por, ish-sekretarja e Brendshme Suella Braverman, një pretendente e mundshme për udhëheqjen konservatore nëse Sunak largohet, shkroi në ”Telegraph” se “ka mbaruar dhe ne duhet të përgatitemi për realitetin dhe zhgënjimin e opozitës”.

Në ngjarjen e tij të parë të ditës në një turne në Uells, Skoci dhe Angli, Starmer u tha gazetarëve në Carmarthenshire se ai “nuk ishte aspak i tronditur nga ndërhyrja e Johnson, duke e përshkruar atë si arkitektin e kaosit dhe ndarjes”.

Ai tha se paralajmërimet konservatore për fitimin e një mazhorance të paprecedentë laburiste përbënin “shtypjen e votuesve”.

“Po përpiqet t’i bëjë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi në vend që të dalin dhe të votojnë”, tha ai.

“Unë them, nëse doni ndryshim, duhet të votoni për të. Unë dua që njerëzit të jenë pjesë e ndryshimit”, theksoi ai.

Një studim i Survation MRP sugjeroi që laburistët janë në rrugën e duhur për të fituar më shumë vende.

Sondazhi i 34 558 dhe modelimi në nivel elektoral sugjeroi se është “99% e sigurt” se laburistët do të sigurojnë më shumë se 418 vende të fituara në 1997.

Të dhënat e sondazhit të MRP sugjerojnë se edhe konservatorë të s0hquar mund të humbasin vendet e tyre ndaj laburistëve në parlament.

Një sondazh i ”Techne” në Mbretërinë e Bashkuar me 5 503 votues për ”The Independent”, i zbuluar gjithashtu brenda natës, i dha laburistëve (40%) një epërsi prej 19 pikësh ndaj konservatorëve (21%)./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›