ANKARA – Merz: Dhënia e avionëve ”Eurofighters” Turqisë forcon sigurinë kolektive të NATO-s

ANKARA, 30 tetor /ATSH-AFP-AA/ – Dhënia e 20 avionëve luftarakë ”Eurofighter” Turqisë do të forcojë sigurinë kolektive të NATO-s, deklaroi sot kancelari gjerman, Friedrich Merz në Ankara, pas marrëveshjes së nënshkruar të hënën midis Turqisë dhe Britanisë së Madhe.
“Ne të gjithë jemi dakord që këta avionë do t’i shërbejnë sigurisë kolektive të aleancës”, u tha Merz gazetarëve në Ankara.
Gjermania, e cila fillimisht kishte vënë veton ndaj marrëveshjes për shkak të mbështetjes së Turqisë për grupin palestinez Hamas, e hoqi veton e saj në korrik.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan priti sot me një ceremoni zyrtare kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz.
Në ceremoni ishin vendosur flamuj dhe ushtarë që përfaqësojnë themelimin e 16 shteteve turke të formuara në histori, ndërsa u kryen 21 të shtëna me top.
Kancelari gjerman Merz përshëndeti trupën ceremoniale me shprehjen turke “Merhaba asker” (Përshëndetje ushtarë).
Erdogan dhe Merz, të cilët vazhduan në një takim dypalësh, pas takimit midis delegacioneve do të marrin pjesë në konferencë të përbashkët për median./ /os/