SEUL – Trump: Me Xi kemi rënë dakord për shumë çështje

SEUL, 30 tetor /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se kanë arritur marrëveshje për shumë çështje gjatë takimit të tij me presidentin kinez, Xi Jinping.
Pas takimit të tij në Korenë e Jugut me presidentin kinez, Trumpi u tha gazetarëve në avion se “ne kemi të njëjtat mendime për shumë gjëra. Do të blihen menjëherë sasi të mëdha soje dhe produkte të tjera bujqësore. Nëse e vutë re, presidenti Xi lejoi Kinën ta fillonte këtë dje”.
“E vlerësova që Kina ka filluar të blejë sasi shumë të mëdha soje dhe produkte të tjera. Ky ishte një gjest shumë i këndshëm. Dhe shumë gjëra të tjera të tilla”, tha presidenti amerikan.
Gjatë takimit, Trumpi tha se pala kineze është zotuar të punojë me zell për kontrollin e fentanilit dhe pararendësve të tij, prandaj SHBA-ja e ka ulur tarifën shtesë prej 20 për qind në 10 për qind ndaj Kinës për këtë arsye.
Pas takimit, Trumpi tha se “nuk ka më pengesa” lidhur me elementët e rralla të tokës.
“Mund të themi që kjo nuk është vetëm një situatë në SHBA, por situatë globale. Pra, ne vazhdojmë të prodhojmë elementë të rrallë të tokës dhe siç mund ta shihni, të blejmë elementë të rrallë të tokës dhe gjithçka tjetër nga vendet e tjera”, tha ai.
Presidenti amerikan theksoi se po i afrohen shumë shpejt një marrëveshjeje me Kinën lidhur me tarifat, se nuk kanë mbetur shumë pengesa, se negociatat do të vazhdojnë deri në fund të vitit dhe se shpresojnë të arrijnë marrëveshje të qëndrueshme./ /os/