E Diel, 1 Nëntor 2026

AP: Bashkia e Kukësit të mos u vjelë faturat e ujit personave me ndihmë ekonomike

TIRANE - Avokati i Popullit, Igli Totozani, me një rekomandim drejtuar kryetarit të Bashkisë së Kukësit, kërkon marrjen e masave për anulimin e vjeljes së detyrimeve të faturave të ujit të pijshëm ndaj personave të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike pranë Bashkisë Kukës.

Avokati i Popullit i kujton kryebashkiakut Hasan Halilaj se vjelja e detyrimeve të faturave të ujit të pijshëm, duke bërë ndalesat nga ndihma ekonomike, janë veprime të cilat vijnë në kundërshtim të hapur me ligjin.

REKOMANDIMI I AVOKATIT TE POPULLIT
“Ashtu sikundër jeni vënë në dijeni edhe më parë, Institucionit i Avokatit të Popullit, duke marrë shkas nga një artikull i publikuar në gazetën on-line “Unë flas”, ka ndërmarrë me inisiativë trajtimin e rastit lidhur me aplikimin e masave nga Bashkia Kukës, për pagesat e faturave të ujit të pijshëm nga ndihma ekonomike.

Konkretisht, në këtë artikull citohet se për të gjithë përfituesit e ndihmës ekonomike bëhet ndalesa në vlerën mbi 18 % të saj, për pagesat e faturave të ujit të pijshëm. Të njëjtën skemë Bashkia e Kukësit po e aplikon edhe për vjeljen e taksave vendore në çdo fillim viti.

Institucioni i Avokatit të Popullit pasi ka marrë në shqyrtim trajtimin e këtij rasti, bazuar në Ligjin Nr. 8454 datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ka kërkuar një informacion pranë Bashkisë Kukës lidhur me:

1. Përcjelljen e një informacioni të hollësishëm nëse është nxjerrë ndonjë vendim për vjeljen e detyrimeve të faturave të ujit të pijshëm duke bërë ndalesat nga ndihma ekonomike për personat që e përfitojnë atë.
2. Bazën ligjore ku është mbështetur Bashkia Kukës lidhur me këtë rast.

Referuar kërkesës tonë për informacion me shkresën Nr.666/1 Prot, datë 11.07.2013, nga ana e Bashkisë Kukës jemi vënë në dijeni se:
“Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime në qytetin e Kukësit është Shoqëri Anonime dhe Bashkia Kukës është aksioneri kryesor. Ne si institucion duke qenë se gjithçka që konsumohet duhet paguar, kemi marrë përsipër të bëjmë ndalesën e faturës së ujit të pijshëm, nga të gjithë qytetarët sipas burimeve ku ata kanë përfitime të drejtpërdrejta nga Bashkia Kukës”.

I nderuar Z. Halilaj,
Referuar nenit 52 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në pikën “2” të tij parashkohet se: “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavaruar nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës ekonomike në kushtet e parashikuara me ligj”.

Në kuptim të këtij neni, natyra e përfitimit të ndihmës ekonomike për individët të cilët kanë pamundësi punësimi është shprehje e mbrojtjes sociale e realizuar përmes përmbushjes së objektivave social dhe si e tillë realizimi i tyre është i lidhur ngushtësisht me detyrimin e shtetit për të bërë të mundur garantimin dhe sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevojat jetësore.

Gjithashtu, sipas Ligjit Nr.9355 datë 10.03.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, i ndryshuar, në nenin 1 të tij përcaktohet “Qëllim”, ku citohet se:
Ky ligj ka për qëllim:
1. Të përcaktojë ndihmën dhe shërbimet shoqërore për individët dhe grupet në nevojë, të cilat nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike, zhvillimin e aftësive dhe të mundësive personale dhe ruajtjen e integritetit për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara ekonomike, fizike, psikologjike e shoqërore.
2. Të zbusë varfërinë dhe përjashtimin shoqëror për individët dhe familjet, si dhe të krijojë mundësi për integrimin e tyre, nëpërmjet sigurimit të një sistemi ndërhyrjesh e shërbimesh për përmirësimin e jetesës së tyre
Në analizë të dispozitave ligjore të mësipërme, ndihma ekonomike nuk është gjë tjetër veçse një mbështetje, në para dhe natyrë, për individët me status të vecantë dhe e për familjet në nevojë.

Avokati i Popullit si një institucioni kushtetues në përmbushje të detyrave të tij funksionale dhe kushtetuese udhëhiqet nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë, e për pasojë konstatojmë se veprimet tuaja për vjeljen e detyrimeve të faturave të ujit të pijshëm, duke bërë ndalesat nga ndihma ekonomike, janë veprime të cilat vijnë në kundërshtim të hapur me ligjin.

Padyshim, që institucioni ynë nuk është pro marrjes së shërbimit publike, në rastin konkret furnizimi me ujë të pijshëm dhe mospagesës së saj nga ana e konsumatorit, por duhet të kuptoni drejt se legjislacioni aktual ka parashikuar sanksione të tjera për personat që rezultojnë debitore në lidhje me pagesat e shërbimeve publike.

Sipas dispozitave ligjore në fuqi, e në veçanti në nenin 10 të Kontratës së Furnizimit me ujë të lidhur mes konsumatorit dhe shoqërisë furnizuese parashikohet edhe e drejta e konsumatorit lidhur me pagesën e faturës së ujit të pijshëm.

Në këtë nen citohet se:
1. Konsumatori duhet të paguajë detyrimin brenda datës (28) të muajit pasardhës te sportelet e caktuara të operatorit, nëpërmjet kontove bankare ose sipas mënyrave të tjera për të cilat kanë rënë dakord palët.
2. Nëse pagesa nuk kryhet brenda afatit, konsumatori duhet të paguajë kamatëvonesën sipas legjislacionit në fuqi.
3. Nëse pagesa nuk kryhet brenda 30 ditëve pas kalimit të afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, operatori ka të drejtë të ndërpresë furnizimin me ujë. Operatori mund të ndërpresë furnizimin me ujë vetëm nëse e ka njoftuar me shkrim konsumatorin të paktën 5 ditë përpara. Njoftimi me shkrim duhet të përmbajë edhe tarifën për rilidhjen që zbatohet në këtë rast.
Pra, legjislacioni parashikon sanksione të tjera lidhur me penalizimin e konsumatorëve që nuk bëjnë pagesat e faturave të ujit të pijshëm dhe në asnjë rast nuk parashikohet që të bëhen ndalesat nga burimet e mjeteve të jetesës e aq më tepër nga ndihma ekonomike e personave në nevojë.
Për sa më sipër parashtruam, Institucioni i Avokatit të Popullit nisur nga qëllimi i mirë për përmirësimin e punës si dhe zgjidhjen ligjore të këtij problemi, e çmon me vend të bëjë këtë rekomandim për të kontribuar së bashku për vënien në vend të të drejtës së shkelur ndaj këtyre qytatetarëve, por edhe për t’ju përgjigjur standarteve të një vendi që ka në qendër të vet të drejtat e njeriut, mirëqënien e qytetarëve dhe aspiron të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian.

Për të gjitha këto arsye në përputhje me nenin 63/3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku përcakton se “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur konstaton shkelje të të drejtave dhe lirive nga Administrata publike”, si dhe nenit 21/b ku thuhet se: “Avokati i Popullit paraqet rekomandime për marrje masash për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ që ka shkaktuar shkeljen”.

REKOMANDOJMË: Marrjen e masave të menjëhershme për anulimin e vjeljes së detyrimeve të faturave të ujit të pijshëm ndaj personave të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike pranë Bashkisë Kukës.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›