AP bashkëpunim me shoqërinë civile
Avokati i Popullit Igrli Totozani ka zhvilluar një tryezë takimi me organizata të shoqërisë civile, duke kërkuar një bashkëpunim më të mirë mes tyre dhe institucionit të AP-së. Totozani është shprehur se e sheh shoqërinë civile si partner të rëndësishëm në fushën e të drejtave të njeriut duke shtuar se pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme në vendimmarrjen e Avokatit të Popullit. Ai ka nënvizuar se pjesë e punës së Institucionit të Avokatit të Popullit është ngritja e një rrjeti kombëtar të Shoqërisë Civile që do të bëjë të mundur bashkërendimin e punës në mënyrë të vazhdueshme.
Përfaqësuesit e këtyre organizatave janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim dhe kanë shtruar disa nga problemet që sipas tyre meritojnë vëmendje. Probleme të cilat kanë të bëjnë me komunitetit rom, të personave me aftësi të kufizuara mendore, të komunitetit LGBT, të grave të dhunuara, fëmijëve të dhunuar dhe probleme të personave që nuk dëgjojnë etj.
Sot, Totozani do të nisë një vizitë disa ditore në Bruksel dhe Strasburg me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm, në Drejtorinë e Përgjithshme për zgjerim në Komisionin Evropian, Stefano Sannino. Avokati i Popullit gjatë kësaj vizite do të zhvillojë takime me zyrtarë të Institucioneve të BE në kuadër të forcimit të bashkëpunimit midis Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Bashkimit Evropian.