Withers: Qëndrimet e mia, jo personale. Politika, përgjegjëse për situatën në Shqipëri

Ish-ambasadori i SHBA, John Withers
Në intervistën e parë pas mbarimit të mandatit të tij në Shqipëri, ish-ambasadori amerikan, John L. Withers II i ka shprehur Zërit të Amerikës shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri.
Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, gjë që ne presim ti ketë një demokraci e zhvilluar, tha ambasadori Withers në intervistën e parë që jep që kur përfundoi mandatin në Shqipëri.
Në intervistën e cila e plotë do të transmetohet nesër në programin “Ditari” të Zërit të Amerikës, Withers thotë se fakti që Shqipëria nuk po arrin të zgjidhë dukuri të tilla si korrupsioni, problemet në sistemin e drejtësisë dhe konfliktet politike, janë probleme të shkaktuara nga udhëheqësit politikë në vend që i quan përçarës dhe jo bashkues.
Problemet e politikes nuk vijne nga ambjenti por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, nuk u vjen nga zemra.
Ambasadori Withers thotë se qëdrimet e tij ndaj kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri, nuk ishin personale por një analizë për veprimet që nuk ishin në përputhje me parimet e demokracisë.