Rama letër urimi presidentit të PE-së
Menjëherë pas zgjedhjes së Martin Schultz si President i Parlamentit Europian, ka ardhur dhe mesazhi i urimit, përcjellë nga lideri i Partisë Socialiste Edi Rama.
Kryesocialisti e ka përshëndetur këtë vendim, ndërsa i është drejtuar presidentit të Parlamentit Europian me anë të një letre.
Mësova me kënaqësi të madhe lajmin e mirë nga Strasburgu për zgjedhjen tuaj si President i Parlamentit Evropian. Së bashku me komplimentat e përzemërta për mbështjetjen me shumicë absolute që ju morët gjatë kësaj zgjedhjeje, ju lutem pranoni përgëzimet më të sinqerta dhe urimet më të mira.
Jam i sigurt se gjatë Presidencës suaj, Parlamenti Evropian do të rrisë rolin e tij si zëri i popullit të Evropës. Në këtë drejtim, dua të ndaj të njëjtën bindje me Presidentin e Partisë së Socialistëve Evropiane (PSE), Sergei Stanishev, se Martin Schulz do të sigurojë që reputacioni i Parlamentit Evropian si gardiani i standardeve demokratike dhe drejtësisë ekonomike do të rritet në mënyrë domethënëse.
Kreu i opozitës shprehe bindjen se gjatë këtij mandati, Shqipëria dhe vendet e Ballkanit perëndimor do shënojnë më shumë progres drejt integrimit.
Kam bindjen e palëkundur që gjatë mandatit tuaj si President i Parlamentit Evropian, vendi im, Shqipëria, dhe vendet e Ballkanit Perendimor, do të shënojnë progres më të madh në procesin e Integrimit Evropian.
Gjithashtu, dua t`ju falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme që Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian i ka dhënë Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe t`ju risiguroj që partia ime do të vazhdojë të luajë rolin e saj të lidershipit për promovimin e vlerave europiane në Shqipëri duke punuar fort që ta bëjmë vendin tonë gati për statusin e vendit kandidat brenda vitit 2012.